Maksuti i përgjigjet LR-PDSH-së për përfaqësimin e shqiptarëve në Mbrojtje
Një ditë pasi, Departamenti i Mbrojtjes së Lëvizjes për Reforma – PDSH, doli me konferencë për shtyp me informata, që sipas tyre, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ARM, shqiptarët përfaqësohen me përqindje shumë të ulët, zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, për Portalb thekson se duke u bazuar në Kushtetutën, dispozitat ligjore, si dhe në Marrëveshjen e Ohrit, si garanci e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në kuadër të institucioneve qeveritare, “Ministria e Mbrojtjes ka për synim arritjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve edhe në këtë institucion”.
Sipas përgjigjes së dërguar nga Maksuti, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatën e Republikës së Maqedonisë numri i përgjithshëm i të punësuarve shqiptarë e shprehur në përqindje arrin në 19%.
“Në ministri nga gjithsej 835 të punësuar, 113 janë shqiptar, ndërsa në Armatën e Republikës së Maqedonisë nga gjithsej 7017 ushtarakëve dhe sektorit civil 1405 janë shqiptar. Ndërsa në kuadër të Akademisë Ushtarake “Mihajllo Apostollski “ nëse kthehemi disa vite më pas, në vitin akademik 2011nga gjithsej 25 kadetë, 7 prej tyre kanë qenë shqiptar, në vitin vijues 2012 nga 25 kadetë, 12 kanë qenë shqiptar, në 2013 nga 25, 11 kanë qenë shqiptar, ndërsa që nga viti 2014 e deri më sot ky numër ka pësuar ndryshim dhe është në rritje e sipër, gjegjësisht mbi 25%. Këto të dhëna vazhdimisht pësojnë ndryshime pozitive, duke pasur parasysh numrin e caktuar të shqiptarëve edhe në eshalonët dhe strukturat udhëheqëse në MM dhe ARM.. Vlen të përmendet që falë angazhimit që përkon me arritjen e përfaqësimit të drejtë e adekuat, në konkurset për pranimin e ushtarëve profesional në Armatë, numri i ushtarëve të pranuar shqiptar duke filluar me konkurset e shpallura që nga viti 2013 ku numri i ushtarëve të pranuar ka arritur 45%, ndërsa që nga viti 2014 e këndej përqindja e ushtarëve të pranuar shqiptar ka arritur në mbi 25%. Sa i përket strukturave dhe njësive të ARM-së vlen të theksohet përqindja e shqiptarëve në Regjimentin e Operacioneve Speciale që përbën shifrën e 3% si dhe në Batalionin e Renxherëve ku përqindja e shqiptarëve nga numri i përgjithshëm pjesëtarëve arrin në 6%. Në ndërkohë, dje me rastin e shënimit të Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë në grada u avancuan edhe 4 toger, 4 kapiten, 21 major dhe 6 nënkolonel, ndërsa edhe më tej vërehet një numër i avancimeve edhe të ushtarakëve tjerë përfshirë këtu edhe një numër të madh të nënoficerëve”, thuhet në përgjigjen e kthyer me shkrim për Portalb, nga zëvendësministri Maksuti.