Mançevski: Shërbimi publik nën kontrollin politik të VMRO-DPMNE-së
Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski nëpërmjet një posti në rrjetin social fejsbuk është shprehur se shërbimi publik po punon nën ndikim të partisë opozitare VMRO-DPMNE.
“Për herë të parë që kur jam ministër do të them qëndrim timin personal. RTM është turp, poshtëri dhe plotësisht nën kontrollin politik të VMRO-DPMNE-së. Maqedonia nuk ka shërbim publik të qytetarëve”, tha Damjan Mançevski.
Mançevski për TV21 sqaroi se bëhet fjalë konkretisht për programin e parë të RTVM-së, të cilët dje, në ditën kur Maqedonia mori datën për fillimin e emrit, edicionin e lajmeve e filloi me lajmin që Ivanov nuk e nënshkruan marrëveshjen me Greqinë.
Ministri pa resor i ngarkuar për komunikim, llogaridhënie dhe transparencë Robert Popovski vlerëson se Rradiotelevizioni i Maqedonisë nuk e plotëson detyrën e tij shoqërore, që është informimi i drejtë i paanshëm dhe në kohë ndaj qytetarëve. Sipas tij fakti që VMRO-DPMNE po bllokon ligjin për media, tregon dëshirën e tyre për ta mbajtur këtë status në Televizionin publik.
“Ajo atmosferë në kuvend jep përshtypje se opozita dëshiron ta mbajë në këtë gjendje të status kuo Radiotelevizionin e Maqedonisë dhe Agjencinë për shërbime audio dhe audio-vizuale. Nëse dikush dëshiron ta mbajë situatën në atë gjendje, që gjatë 11 vjetëve kanë instaluar njerëz të afërt me partinë, apo anëtarë të partisë në organet e shërbimit publik dhe agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuale, është e qartë se cila është qëllimi politik dhe ndikimi politik si ndaj shërbimit publik, ashtu edhe ndaj agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuale”, u shpreh Popovski.
Reagoi RTVM. Nga atje dënuan kualifikimet e Mançevskit dhe mohuan akuzat se ky televizion është nën kontrollin politik të VMRO-DPMNE-së.
“Radiotelevizioni i Maqedonisë siguron informim të drejtë dhe të paanshëm dhe nuk mbron e as nuk paraqet qëndrime apo interesa të ndonjë partie politike, e aq më pak të bëjë program nën ndikim të tyre.”
Reagimi erdhi edhe nga VMRO-DPMNE. Partia opozitare mohon se po pengon sjelljen e ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuale.
“Opozita nuk ka qëllim që ta bllokoj ligjin për media. Jemi dëshmitarë se LSDM dëshiron ta shtyj me forcë ligjin në procedurat parlamentare. Unë mendoj se anëtarët e këshillit, njëjtë edhe në trupat tjerë të pavarur, nuk duhet të ndryshohen me ligj. Kjo është një veti e keqe e shtetit tonë – tha Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së”, tha Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Për ligjin e mediave në Komisionin për Transport dhe Lidhje janë proceduar 73 amendamente, 12 prej të cilave nga shumica parlamentare. Deri tani është debatuar për 7 amendamentet e VMRO-së, por asnjëri nga amendamentet e shqyrtuara nuk është pranuar. Debati mbi amendamentet disa herë është devijuar në fyerje dhe akuza politike e personale.