Maqedonci e pranon krizën me ushqimin në FSK, thotë se mungon shumëllojshmëria
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është duke raportuar para Komisionit për Siguri, ku mes tjerash ka folur edhe për krizën që po kalon FSK-ja sa i përket ushqimit. Maqedonci ka thënë se në këtë fazë tranzitore janë duke u furnizuar përmes kompanive që kanë kontrata të lidhura me Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
“Sa i përket gjendjes së tanishme të ushqyerjes, e thash edhe më herët, jam në pritje të një raporti përfundimtar për ndërprerjen apo përfshirjen. Në këtë fazë tranzitore, jemi duke u furnizuar përmes kontratave që janë të lidhura të AQP-së, furnizimi bëhet nga ato që kanë kontrata me autoritetin qendror të prokurimit, jo nga mensa apo nga burgu. Mbështetjen që e kemi pasur, e kemi pasur me personel që shërbejnë në mensë dhe në shërbimin korrektues, në mënyrë që të zbusim rrezikun në kuptimin e ushqyerjes në fazën ku jemi aktualisht”, ka thënë Maqedonci, raporton Express.
Ministri i Mbrojtjes ka shtuar tutje se për shkak të kësaj faze tranzitore, nuk është duke u shërbyer shumëllojshmëri ushqimesh, por thotë se ushtarët nuk shkojnë në punë për shumëllojshmëri ushqimesh, por për të kryer detyrat e tyre bazike.
“Gjatë kësaj faze tranzitore kemi gjetur këtë mundësi. Ideja ka qenë që ta zbusim këtë rrezik. Sigurisht që s’mund të jetë e njëjta llojshmëri e shërbimit siç është kur kemi pasur operator. Mirëpo kemi tentuar që maksimalisht ta bëjmë të pamundurën që ushtarët tonë të ushqehen në kazerma. E di që është ngritur shumë si temë, por edhe një gjë që duhet ta theksojë është që ushtarët tonë nuk shkojnë në punë për shumëllojshmëri ushqimesh”, ka thënë Maqedonci.
Kreu i Ministrisë së FSK-së ka thënë se kualiteti është duke u monitoruar në vazhdimësi, ndërkohë shumëllojshmëria e ushqimit mund të mungojë në këtë fazë.
“Kualiteti është duke u shikuar në vazhdimësi por shumëllojshmëria mundet me mungu në këtë fazë për shkak të proceseve që po mundohemi me i tejkalu, s’janë pa vështirësi”, ka thënë ndër të tjera./GazetaExpress/