MAQEDONI, GATI 53 PËR QIND E TË RINJVE JANË TË PAPUNË

138

Sipas hulumtimit të kryer nga Fondacioni “Friedrich Eber”, zyra në Shkup, mbi papunësinë tek të rinjtë në Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, thuhet se “në Maqedoni padyshim që norma e papunësisë tek të rinjtë, e cila është 52.9 për qind është alarmante, duke u radhitur në vendin e tretë në listën botërore, ndërkohë që në vend të parë është Bosnjë e Hercegovina dhe në vend të dytë Greqia”. Nina Starova, autore dhe prezantuese e hulumtimit të këtij fondacioni në debatin e mbajtur në Shkup, ku u diskutuan sfidat dhe rekomandimet për uljen e normës së papunësisë tek të rinjtë, theksoi se mbi 60 për qind e të rinjve në këtë vend mendojnë se është vështirë të gjendet punë. Ajo shtoi se këto hulumtime tregojnë faktori kryesor për punësim është lidhjet personale dhe politike. “Fatkeqësisht për shkak të mungesës së këshillimit të karrierës shpresat e tyre nga tregu i punës janë joreale dhe nuk kanë njohuri për tregun e punës”, u shpreh Starova, si dhe shtoi se 50 për qind e të rinjve në vend preferojnë të punojnë në administratë publike, ndërsa 50 për qind mendojnë ose përgatitet të lëshojnë vendin. Profesor universitar, pjesëmarrës në debat, Dragan Tevdovski, tha se kjo normë e papunësisë tregon se pse të rinjtë emigrojnë nga Maqedonia, duke shtuar se edhe politikat aktuale në vend nuk japin rezultate të mira për motivimin e të rinjve. “Absolutisht që nevojiten reforma në të gjitha nivelet e arsimit në Maqedoni, nëse me të vërtetë duam një ndryshim serioz, kryesisht për të përmirësuar produktivitetin, për rritjen e pagave dhe për mundësi më të mëdha për punësim. Mirëpo, duhet të jemi të vetëdijshëm se këta reforma duhet të mos vonohen dhe të realizohen sa më shpejtë”, deklaroi Tevdovski. Fondacioni “Friedrich Eber”, i cili u themelua në vitin 1925, si një trashëgimi politike e presidenti të parë gjerman Friedrich Eber, është një institucion jo fitimprurës, politik me interes publik, i angazhuar në parimet dhe vlerat bazë të demokracisë sociale në punën e tij edukuese dhe të orientuar nga politika.

Comments