Maqedonia shton masat e sigurisë

232
Maqedonia shton masat e sigurisë

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, tha se Maqedonia rrezikohet nga sulme terroriste dhe ekstremiste, duke e ndërlidhur rrezikun nga lëvizja e migrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme përmes territorit të Maqedonisë drejt vendeve të Evropës, njofton REL.

Presidenti Ivanov foli për cështjet e sigurisë në shënim të Ditës së Ilindenit, një feste të rëndësishme për Maqedoninë, që shënon kryengritjen ndaj pushtimit otoman.

“Shumica nuk pret që një territor kaq i vogël si Maqedonia të jetë imun dhe i fortë para kërcënimeve nga migrimi ilegal. Megjithatë, në mënyrë të suksesshme ne u përballëm me grupin e parë të refugjatëve. Treguam se kemi Ushtri dhe polici që mund ta ruajnë kufirin. Dolëm në fund edhe me kërcënimet e sigurisë nga ekstremizmi i rritur dhe terrorizmi. Penguam masakra dhe gjakderdhje që e pamë gjithandej në botë”, tha presidenti Ivanov, në fjalimin e tij me rastin e festës së Ilindenit.

Presidenti, ditë më parë, tha se në Maqedoni janë kthyer rreh 86 persona të cilët kanë qenë të përfshirë në luftimet në vendet e Lindjes së Mesme, një pjesë e të cilëve janë arrestuar gjatë aksionit të quajtur “Celula”, përderisa pjesa tjetër siç ka nënvizuar presidenti Ivanov, ndiqen me vëmendje nga ana e organeve të sigurisë.

Ndërkohë, Ministria e Punëvetë Brendshme ka deklaruar se ka shtuar masat e sigurisë me qëllim të siç tha, “pengimit të sulmeve të mundshme terroriste në territorin e saj”.

Natalia Spirovska Kordiq nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka thënë se institucionet e vendit kanë intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e tjera të sigurisë në rajon si dhe në nivel ndërkombëtar në funksion të shkëmbimit të informacioneve dhe ndërmarrjes së aktiviteteve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.

Ndërkaq Bllagoja Markoski ekspert për çështje sigurie thotë se Maqedonia si shtet nuk është cak I sulmeve terroriste me prioritet për qarqet e ndryshme ekstremiste megjithatë pozita e Maqedonisë është ndjeshme veçanërisht pas kthimit tënjë numri të caktuar të personave që luftonin në Siri, Irak dhe Afganistan.

“Para së gjithash në Maqedoni nëse ndodh ndonjë akt terrorist atëherë ai do të jetë me karakter të brendshëm , përkatësisht ata persona nga Maqedonia të cilët kanë luftuar në vendet e përfshira nga lufta në Lindjen e Mesme janë kthyer me një ideologji të atjeshme dhe në bazë të kësaj ata mund të bëjnë ç`rregullime të caktuara në Maqedoni, megjithatë jo me pasoja siç ishinato në vendet perëndimore” thekson Bllagoja Markoski kryetar i forumit Ballkanik për Siguri.

Në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për tu përfshirë në luftërat e jashtme, paraqet vepër penale për të cilën parashihet dënim me së paku 5 vjet burg.

Ndërkohë Bashkësia Fetare e Maqedonisë diplomatëve të huaj dhe institucioneve të vendit ua ka prezantuar projektin në bazë të cilit parashihet që personat të cilët kanë qenë të përfshirë në luftërat e huaja përpos vuajtjes së dënimit që parashihet m ligj, ti nënshtrohet dhe një programi për rehabilitim dhe risocializim.

“Që nga formulimi i ligjit i cili parasheh dënime me burg për ata persona që përfshihen në luftërat e huaja, përkatësisht në shtetet e përfshira nga lufta në Lindjen e Mesme, Bashkësia Fetare Islame si institucion theksoi se dënimi me burg nuk do të paraqet veprim të mjaftueshme për të parandaluar veprimet e tyre eventuale ekstreme në të ardhmen. Ne mendojmë krahas dënimit me burg duhet të angazhohet një ekip i psikologëve dhe sociologëve për ti ndihmuar të ballafaqohen me realitetin këtu”.

“Në projektin që ua kemi prezantuar përfaqësuesve diplomatik parashihet që përpos ndihmës profesionale për risocializimin e personave që kthehen nga zonat e luftës të përfshihen dhe familjarët e tyre sepse veprimet e këtyre personave kanë efekt edhe në familje”, nënvizon Agron Vojnika nga Bashkësia Fetare e Maqedonisë.

Comments