Qeveria e Maqedonisë ka zbutur qëndrimet rreth votës së përmbajtur lidhur me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, por ende nuk ka një vendim të prerë për të votuar pozitivisht. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, në një përgjigje me shkrim për Televizionin Shenja thotë se Maqedonia qëndron neutrale në kontestet mes dy vendeve fqinj, ndërsa për rastin e Kosovës do të ndjekë qëndrimet e shumicës së vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë në përgjigje nuk ka një vendim konkret nëse ngelen në paralajmërimet e Zaevit për të abstenuar ose për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO
Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë
“Kur ka çështje të hapura të ndjeshme mes dy fqinjëve tanë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë çdo herë ndjekë interesat e shtetit të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë dhe avancim të bashkëpunimit rajonal, neutralitetit dhe mospërzierje në kontestet mes shteteve. Në raport me votimin për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, Qeveria do të ketë parasysh pozitat e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.
Përndryshe, disa ditë para marjes së mandatit për formimin e Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev në dy paraqitje para mediave tha se vlerëson se Maqedonia duhet të jetë e përmbajtur gjatë votimit rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Nga ana tjetër në Kosovë prej sot ka filluar grumbullimi i nënshkrimeve për anëtarësimin e Kosovës ne organizatën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore te OKB-së, UNESCO. Arben Zeqiri /SHENJA/