Portierja e kombëtares së Shqipërisë shprehet se futbolli i fermave në vendin tonë është rritur ndjeshëm në vitet e fundit dhe së shpejti do të marrë pjesë në eventet e ndryshme
Klevis Deda
Portierja e kombëtares Shqiptare të futbollit për femra, Marigona Zani në intervistën për “Shekulli” se ndihet krenare që përfaqëson ngjyrat kuq e zi. Ajo shprehet se futbolli i femrave në Shqipëri është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara. Sa i përket objektivit të saj personal, ajo shprehet se ëndërron të luajë në Bundesligan gjermane.
Kur e keni nisur karrierën dhe çfarë ju shtyu të merreshit me futboll?
Karrierën time e kam filluar në moshë fare të vogël që kur kam qenë 5 vjeçe. Kur motra e madhe Flutura, me ka çuar në një skuadër të futbollit në Göttingen (qyteti ku kam lindur). Tani kam kaluar në ESV RW Göttingen ku luaj së bashku me motrën time Fluturën dhe për hir të së vërtetës është një emocion mjaft i madh.
Në çfarë skuadre profesioniste debutuat për herë të parë?
Ka qenë ekzaktësisht në vitin 2015 ku kam luajtur në klubin Esv-RË-Göttingen në TSV Jahn Calden në kategorinë e 3 të ligës së Gjermanisë. Si eksperiencë e parë në një klub të madh ishte një aventurë shumë pozitive.
Vështirësitë që hasët në shkallët e para të karrierës?
Vështirësi nuk kam pasur sepse më ka mbështetur e gjithë familja sidomos babi. Kjo më ka ndihmuar shumë pasi kam pasur gjithmonë një ambient të ngrohtë dhe më ka bërë që të forcohesha akoma më shumë.
Cili ishte shkaku i thirrjes tuaj në kombëtare?
Thirrja në kombëtare ka qenë një gëzim i papërshkrueshëm. Isha vetëm 18 vjeç kur më ka ftuar ish trajneri i kuqezinjve Altin Rrakli dhe debutova në lojën miqësore kundër Malit të zi.
Sa krenar ndiheni që përfaqësoni një komb të tërë?
Nuk mund ta përshkruaj sa krenare ndihem kur mbroj ngjyrat KUQ E Zi dhe këndon himnin kombëtar. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme pasi të përcjell një përgjegjësi shumë të madhe. Mundohem që gjithnjë të jap më të mirën time në çdo ndeshje por kombëtarja është diçka e veçantë.
Objektivat e tua dhe të kombëtares?
O objektivat për të ardhmen për mua personalisht është të jap maksimumin në ekip dhe në kombëtare edhe të kaloj në kategorinë e parë gjermane, atë të Bundesligas. Sa i përket kombëtares, objektivi parësorë është të bëjmë një paraqitje të mirë në kualifikuese. Megjithëse gjendemi në një grup të vështirë detyra jonë është të japim më të mirën nga vetja për të tentuar një kualifikim të mëtejshëm.
A është e sigurt e ardhmja në futbollin e femrave në Shqipëri?
Po, unë e shikoj si diçka që pritet të ketë sukses në të ardhmen. Federata Shqiptare e Futbollit është shume e angazhuar. Besoj se për disa vite futbolli i femrave në Shqipëri do të përparojë jashtë mase dhe do të luajmë në turne të mëdha ndërkombëtare. Por ky është fillimi dhe normalisht që do të hasim vështirësi, e rëndësishmja është që të fitojmë eksperiencë pasi do të na shërbejë pozitivisht për të ardhmen.
Ndeshja që ju ka mbetur gjatë në mendje?
Ndeshja që më ka mbetur gjatë në mendje është përballë Francës në vitin 2016. Pas asaj ndeshjeje kam marr komplimente pa fund nga stafi i francezëve por gjithashtu edhe nga trajneri i kombëtares tonë Armir Grima.
Keni ndonjë peng në karrierën e deritanishme?
Në karrierën time deri tani nuk kam pasur asnjë peng pasi kam arritur objektivat e mia dhe për këtë ndihem shumë krenare.