Marrëveshja për “Brexit”, vendet e “Visegradit” kërcënojnë me veto
Një grup vendesh anëtare të BE-së nga Europa Qendrore, të njohura si katërshja e Visegradit, është i gatshëm të përdorë veton kundër çdo marrëveshjeje për “Brexit”-in që do të kufizonte të drejtën e njerëzve për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas kryeministrit sllovak, Robert Fico – Hungaria, Polonia, Republika çeke dhe Sllovakia nuk pranojnë kompromis në negociata në këtë drejtim.
Komentet e Ficos bëhen një ditë pas Samitit të parë të BE-së pa praninë e Britanisë. Megjithëse nuk u diskutua formalisht, ishte tema e “Brexit”-it që dominoi në Samitin e Bratislavës.
Fico deklaroi se ai dhe udhëheqësit e vendeve të tjera të Europës Qendrore, banorët e të cilave përbëjnë shumicën e popullatës emigrante në Britani, nuk do të lejojnë që ata të bëhen qytetarë të klasit të dytë.
Vendet e tjera të katërshes së Visegradit, ndërkohë, nuk kanë dalë hapur në mbështetje të fjalëve të Ficos, por as nuk i kundërshtuan ato, duke thënë se presidenca e përkohshme e grupit mbahet nga Polonia dhe i takon asaj që të flasë në emër të grupit.