Mbi 20 mijë libra mungojnë për nxënësit e shkollave të Tetovës
Pavarësisht premtimeve të ministres së arsimit për librat, në Shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë edhe këtë vit mungojnë mbi 20 mijë libra. Nga Sektori për veprimtari publike në Komunën e Tetovës thonë se po bëjnë evidentimin e të gjitha teksteve dhe të njëjtën do ta dorëzojnë në Ministri.
“Për dallim nga vitet e shkuara thash se nga mbi dyzet mijë libra që na mungonin, tash kemi mungesë prej 20.000 libra, por nga ministria na u premtua se edhe këta libra do të arrijnë nëpër shkollat e komunës së Tetovës. E dini që kanë edhe ata arsyet e veta sepse tenderimi është bë nga ish ministri i arsimit, ndërsa tani ata vetëm realizojnë kontratën që kanë nënshkruar me kompaninë që fitoi tenderin. Mirëpo besojmë që librat për shkollat fillore do sillen në afat të shkurtër kohor. Ne jemi duke përgatitur edhe një shkresë zyrtare me numër nxënësish klasa e shkolla me qëllim që ata libra që mungojnë të dorëzohen nga Ministria. Shkollat e mesme po ashtu vuajnë mungesë librash sidomos të lëndëve profesionale që as që ekzistojnë si libra, por besojmë që udhëheqësia e re do e merr më seriozisht këtë gjë”, deklaroi Nazmi Dauti, sektori për veprimtari publike.
Në Shkollat e mesme mungojnë librat e dëmtuar dhe u ka kaluar afati pesë vjeçar i përdorimit.
“Një hall tjetër e kemi sivjet me disproporcionin e gjeneratave gjegjësisht numrin e nxënësve që e kemi tepër nga gjenerata e kaluar, do na duhen më shumë libra. Numri i përgjithshëm i nxënësve në gjimnaz është 1225, këtë vit regjistruam më shumë nga viti i shkuar pra 326 nxënës, ndërsa përqindja e librave të dëmtuar e librave besoni e tejkalon edhe 40 për qindëshin e librave që janë dëmtuar sepse e kanë tejkaluar pesë vjeçarin pra afatin e përdorimit”, tha Jeton Kamberi, drejtor i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.
Sektori për Arsim i komunës së Tetovës ka vendosur që nga ky vit të gjitha librat që do dëmtohen, të iu faturohen prindërve për pagesë. /Alsat.mk