Me përvoja zvicerane do të përmirësohet turizmi në Maqedoni

264
19_08_2016_kuci_turizmi

Shfrytëzim të potencialeve turistike të Maqedonisë me anë të aplikimit të ekspertizës zvicerane në fushën e turizmit, paralajmëroi Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, me drejtoren e Programit zviceran për rritjen e tregut të punësimit Rozandi Lou, program ky me të cilin do të rregullohet gjatë tre viteve të ardhshme bashkëpunimi reciprok në fushën e turizmit dhe hotelierisë transmeton Radio Vala.
Me këtë memorandum Maqedonia do të marrë mbështetje nga Zvicra në zhvillimin e turizmit dhe hotelierisë, nëpërmjet vendosjes së bashkëpunimit me institucionet arsimore më të njohura në Zvicër.
Ministri Kuçi dhe Drejtoresha e Programit për rritjen e punësisë së tregut-‘IME’, Rozandi Lou, theksuan se aktivitetet e ardhshme të parashikuara në memorandum, përfshijnë vendosjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore të njohura në Zvicër, përmes së cilave do të mbështetet zhvillimi i aftësive në mesin e punëtorëve në fushën e turizmit dhe shërbimeve, përmes përpilimit të përbashkët të zgjidhjeve të qëndrueshme, me qëllim të përforcimit të kapaciteteve dhe kuadrove në fushën e turizmit.
“Rezultatet e pritura të bashkëpunimit me programin IME të Ambasadës së Zvicrës, do të realizohen përmes shfrytëzimit të përvojave të Zvicrës, në nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe përmirësimit të standardeve të punës në këtë fushë në Maqedoni”, deklaroi Ministri i Ekonomisë Driton Kuçi.
Zvicra, tha ai, është një nga vendet me sektorin turistik më të zhvilluar dhe më mirë të organizuar.
“Ne shpresojmë se duke lidhur drejtuesit e turizmit të Maqedonisë me institucionet e njohura zvicerane arsimore dhe me transferimin e përvojave zvicerane në zhvillimin e turizmit, do të japim një kontribut për rritjen e potencialit turistik të Maqedonisë”’, shtoi Kuçi.
Përveç sektorit të turizmit dhe hotelierisë, programi IME i ambasadës zvicerane, është i përfshirë në mënyrë aktive edhe në zhvillimin e sektorit të industrive kreative dhe ekonomisë së gjelbër. Objektivat kryesore të programit janë forcimi i sektorit të biznesit, për të krijuar një klimë të favorshme për zhvillimin e tre sektorëve dhe krijimin e kushteve për punë të mirë dhe rritjen e të ardhurave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Comments