Mirishahe Limani Hiler
Ndoshta mendoni se është titull metaforik, por jo.
Ka më shumë se një vit që kam lexuar thirrje të hapura nga qytetarë të shumtë në Kosovë të cilët kërkojnë siguri veçmas për fëmijët e tyre që kanë të rrezikuar jetën nga qentë endacak përderisa ata shkojnë apo kthehen nga shkolla. Jam njoftuar poashtu edhe për letrën e Brigitte Bardot drejtuar KFOR-it në Kosovë më 2011 e cila propozon zgjidhje për qindra qen endacak në Prishtinë.
Kam lexuar letra publike të profesor Mustafa Bajramit, i cili i ka shkruar të gjitha instancave përgjegjëse të komunës së Prishtinës, së cilës edhe i takon. Në ato letra paraqitej kjartë e në detaje gjendja në lagjen e tij ku hajnat dhe qentë endacak sikur kanë krijuar territorin e tyre veprues pa u shqetësuar nga askush.
Qytetarëve të lagjes Qëndresa, iu vjedhen të mirat materiale dhe askush kurrë nuk ndalohet nga policia edhe pse rastet e raportuara nuk janë të rralla. Ka ndodhur që po e njëjta shtëpi të jetë plaçkitur nga hajnat deri edhe në pesë herë, mirëpo organet e rendit e të sigurisë kurrë nuk kanë dhënë llogari.
Edhe më e tmerrshme se kjo është alarmi që përsëritet për të satën herë: fëmijët tani janë në pushime verore, nuk shkojnë në shkollë.
Në Kosovë liria e tyre është e kufizuar.
Fëmijët nuk janë të lirë të luajnë në oborret dhe lagjet e tyre e lëre më të largohen disa kilometra deri tek pishinat, lumenjtë e fushat sportive.
Fëmijët e Kosovës sot, kanë jetën e rrezikuar nga qentë e uritur e endacak, bartës të përplot sëmundjeve që në grupe bredhin edhe lagjeve të kryeqytetit e mos të flasim për pjesët më rurale.
Për t’i besuar prindërve që parreshtur ankohen, pritni që të ketë vdekje të reja? Trishtim! E më pas përsëri i cilësoni « raste të izoluara »!
Një nxënëse filloriste nga Gjeneva ka tashmë tri vite gjersa po kërkonte të dhëna për kafshët në Kosovë më tha: « asgjë mirë nuk gjeta, nga qentë endacak në Kosovë kishte edhe fëmijë që kishin vdekur, u pikëllova shumë, si ka mundësi që shteti yt nuk ka rregulla …, e kam menduar krejt ndryshe Kosovën…»
E një mik imi sonte vazhdon në detaje: « Mirishahe, sot në mbrëmje derisa isha duke falë akshamin, në oborr luanin femijët e mi dhe papritmas kanë hy 7 qënë mi kanë sulmuar fëmijët. Fati dashti që e kanë kafshuar njërin vetëm në rrobe por ashtu e kanë tërheq zvarrë. Në momentin e fundit, pa selam e pa kelam kam vrapuar dhe e shpetova djalin. Përjetuam një trishtim të cilin zor se do ta harrojmë në jetë. Na është bërë jeta e padurueshme. Sjem tu ditë kah me ja mbajtë…!!!! »
Shteti im syuritur! Shteti im i shkurtëpamës! Ç’e çanë kot zërin të të hapen dyertë e familjes evropiane? Ç’mos ka edhe në Evropë ku secilit i shkon gjuha aty ku dhemb dhëmbi. E ti, ndjen dhembje ndonjëher, shteti im ? Ti i krijon jetë të padurueshme sa e sa familjeje.
Ç’i duhesh Evropës kur rrezikon fëmijët e tu në kohë paqe?
Me qen endacak nuk shkohet në Evropë Kosovë.
Të butë i kemi fëmijët, agresiv qentë e prindërit të dëshpruar. E ti Kosovë si m’a qejfin? Ku do t’i kalosh pushimet verore Shpend Ahmeti?