Mediat daneze në Maqedoni – Integrimi Euroatlantik në fokus (FOTO)

354

“Ju mund të bëni shumë që opinioni i Danimarkës të jetë më në favor të integrimit të Maqedonisë dhe rajonit në Bashkimin Europian”, tha sot zëvendëskryeministri për integrime europiane i Maqedonisë, Bujar Osmani, gjatë takimit në Shkup me një grup të gazetarëve nga mediat kryesore të Danimarkës.

Sipas tij, Maqedonia gjendet në një udhëkryq gjeostrategjik ku janë të mëdha gjasat që të ketë ndeshje midis faktorëve gjeopolitikë.”Integrimi në NATO do të garantonte sigurinë dhe do të mënjanonte rreziqet e përplasjeve. Anëtarësimi në BE nuk është zgjerim, konsolidim i vetë Unionit me pjesën e mbetur të gjeografisë europiane”, theksoi Osmani.

Koordinatori nacional për integrim në NATO, Stevo Pendarovski, në takimin me gazetarët danezë tha se përkrahja e qytetarëve për integrim në Aleancë është më e madhe sesa që ishte në Malin e Zi.

“Qytetarët e Maqedonisë janë për integrim të vendit në NATO dhe për këtë nuk na duhet asnjë fushatë. Mbetet të zgjidhet çështja e emrit dhe ky synim të bëhet realitet”, tha Pendarovski duke shtuar se është optimist se zgjidhja është afër.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Tetovë përfaqësuesit e mediave prestigjioze daneze takuan kryetaren e komunës, Teuta Arifi. Ajo i njoftoi me realitetin multietnik të Maqedonisë dhe sfidat e së kaluarës dhe të tashmes, me të cilat ballafaqohen marrëdhëniet ndëretnike.“Unë jam kryetare e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo partiake. Në komunën e Tetovës të gjithë jemi të barabartë”, tha Arifi. Ajo u shpreh optimiste se çështja e emrit do të zgjidhet dhe se vendi do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së.

hdr
dav
mde
Comments