Ministria greke e Punëve të Jashtme në mëdyshje nëse shefi i diplomacisë Nikoz Koxias duhet ta vizitojë Maqedoninë, pas “provokimeve ” të fundit të funksionarëve nga Maqedonia me hartën e “Maqedonisë së Madhe”, njofton portali grek “Njuz 24/7”
“Vendimi i ministrit të Punëve të Jashtme ta vizitojë Shkupin në fund të gushtit, siç premtoi në takimin me kolegun e tij Nikolla Dimitrov në Athinë po rishqyrtohet. Arsye është sulmi i fundit ndaj Greqisë në një eveniment në Toronto në të cilin merrnin pjesë funksionarë qeveritarë nga Shkupi”, shkruan “Njuz 24/7″/.
Athina zyrtare më 16 gusht e akuzoi Qeverinë e Maqedonisë se e ka shkelur marrëveshjen e përkohshme midis dy vendeve nga viti 1995, pasi që konsulli i përgjithshëm i Maqedonisë Jovica Paleshevski gjoja “në një eveniment zyrtar në Toronto ka folur pas një sfondi në të cilin ka pasur simbole dhe harta irredentiste”.
“Qeveria e re e IJRM-së konfirmon se synon drejt një fillimi të ri në marrëdhëniet me Greqinë. Megjithatë edhe përkundër ndryshimit të qeverisë, siç duket irredentizmi edhe më tej është dominues në ideologjinë shtetërore dhe në praktikën e përditshme politike në vendin tonë fqinj. Mohimi i irredentizmit, respektimi i kufijve dhe zbatimi praktik i parimeve për fqinjësi të mirë janë kushtet e domosdoshme për realizimin e aspiratave euroatlantike të IJRM-së”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.
Sipas “Njuz 24/7” MPJ-ja e Maqedonisë kërkoi konfirmim për qëllimin e Koxias që ta vizitojë vendin tonë më 31 gusht , por deri mbrëmë “nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare”.