Memeti: Vazhdimisht kam alarmuar për gjendjen katastrofale të burgjeve

242

Shkup, 11 shtator – Kryeministri Zoran Zaev e ka cilësuar katastrofale gjendjen në burgjet e vendit, ndërsa gjendjen në të cilën risocializohen të burgosurit si jashtë çdo standardi. Burgu i Idrizovës ka një kapacitet prej 850 të burgosurish por në të vuajnë dënimin aktualisht 1 mijë më shumë. Kjo ndikon jo vetëm në kushtet në të cilat ata risocializohen, por edhe në mënyrën e shërbimeve mjekësore apo të sigurisë.

Avokati i popullit, Ixhet Memeti, thotë se vazhdimisht ka alarmuar për gjendjen në burgje, por nuk ka pasur sens politik për t’i përmirësuar gjërat. Ai shpreson se ekzekutivi i ri do të veprojë urgjentisht për të përmirësuar këtë gjendje, veçanërisht me problematikën imediate dhe mbipopullimin e burgjeve.

“Edhe pse në shikim të parë deklaratat shkojnë në atë drejtim se do rregullohen kapacitetet e burgut, nuk mjafton vetëm kjo. Sistemi i burgut nuk është vetëm kjo, nuk mjafton vetëm të ndëshkosh dhe t’u krijosh kushte, por duhet që personat që kanë rënë ndesh me ligjin t’ia kthejmë shoqërisë”,- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.

Comments