Menduh Thaçi: Maqedonia s’do të ketë përparim pa të drejta të barabarta për shqiptarët

118

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, në fjalimin e tij në konferencën përmbyllëse të partisë, të mbajtur në Tetovë, ka përcjellë mesazhe të forta politike lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe të ardhmen e shtetit.

Thaçi ka theksuar se Maqedonia nuk do të shohë hajr dhe nuk do të ketë stabilitet e zhvillim të qëndrueshëm për aq kohë sa shqiptarët nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë dhe që i kanë komunitetet e tjera në vend. Sipas tij, barazia e plotë nuk është privilegj, por parakusht themelor për funksionimin e një shteti demokratik dhe multietnik.

“Përderisa shqiptarët trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, ky shtet nuk mund të ketë paqe sociale, prosperitet ekonomik dhe as perspektivë evropiane,” ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura pavarësisht premtimeve të shumta ndër vite.

Ai ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore për moszbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të shqiptarëve, duke përmendur përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet kyçe, përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe diskriminimin në punësim dhe zhvillim rajonal.

Në fjalimin e tij, lideri i PDSH-së ka theksuar se partia që ai drejton do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i shqiptarëve dhe nuk do të heqë dorë nga kërkesa për barazi reale dhe substanciale. Ai u bëri thirrje shqiptarëve për unitet politik dhe qytetar, duke nënvizuar se vetëm përmes një qëndrimi të përbashkët mund të arrihen ndryshime konkrete.

Konferenca përmbyllëse e PDSH-së në Tetovë u zhvillua në prani të strukturave partiake, delegatëve dhe mbështetësve, duke shënuar edhe përcaktimin e prioriteteve politike të partisë për periudhën e ardhshme. Në fokus të këtyre prioriteteve, sipas Thaçit, do të mbetet lufta për barazi, dinjitet dhe të drejta të plota për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Comments