Mesazhi i Turqisë për qytetarë e saj, të cilët i paralajmëron të tregohen të kujdesshëm kur udhëtojnë në Gjermani për shkak të rritjes së ndjesive anti-turke në prag të zgjedhjeve gjermane, nuk i ka pëlqyer kancelares Angela Merkel.
“Dua të them shumë qartë se të gjithë qytetarët turq mund të vijnë këtu. Asnjë gazetar nuk arrestohet në Gjermani. Liria e shprehjes dhe sundimi i ligjit mbizotërojnë në këtë vend dhe ne jemi shumë krenar për këtë”, u shpreh Merkel.
Merkel: Turqit të lirë të vijnë në Gjermani
Tensionet mes Berlinit dhe Ankarasë ziejnë prej muajsh dhe mesazhi i Turqisë erdhi pasi ministria e jashtme gjermane paralajmëroi të martën qytetarët që udhëtonin drejt Turqisë se rrezikoheshin nga burgosjet arbitrare, madje edhe ne zonat turistike.
Kancelarja Merkel ju referua rastit të gazetarit gjermano-turk Deniz Yucel, i cili po mbahet i burgosur në Turqi prej më shumë se 200 ditësh.
Ai është një prej 12 qytetarëve gjermanë të ndaluar në Turqi për akuza politike. Kancelarja që zemëroi keqazi qeverinë turke javën e kaluar duke thënë se do të kërkonte ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE pritet të fitojë një mandat të katërt në zgjedhjet e 24 shtatorit.
/ Top Channel