Mesazhi i parë nga Teherani pas sulmit: Na sulmuan në mes të Ramazanit, do t’i detyrojmë të pendohen hidhur
Pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit në territorin e Iranit, si dhe valës së parë të kundërpërgjigjes iraniane me raketa, reagoi zyrtarisht edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Iranit. Në një deklaratë të ashpër, Teherani i cilësoi sulmet si “agresion ushtarak kriminal” dhe paralajmëroi një përgjigje të vendosur dhe legjitime.
Ministria konfirmoi se objektiv i goditjeve amerikano-izraelite ishin infrastruktura mbrojtëse, por edhe objekte civile në qytete të ndryshme iraniane.
Nga Teherani u theksua veçanërisht koha e sulmit, duke nënvizuar se ai ndodhi në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për myslimanët dhe për popullin iranian.
“Amerika dhe regjimi sionist këtë mëngjes, në prag të Nevruzit (Vitit të Ri iranian) dhe në ditën e dhjetë të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke shkelur në mënyrë flagrante integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Iranit, sulmuan një sërë objektivash në vendin tonë”, thuhet në deklaratë.
Diplomacia iraniane pretendon se sulmi ndodhi në kohën kur Irani dhe SHBA-ja ishin në mes të një procesi diplomatik. Sipas tyre, ndonëse ishin në dijeni të qëllimeve të “SHBA-së dhe regjimit sionist”, Teherani vazhdoi negociatat për t’i dëshmuar komunitetit ndërkombëtar korrektësinë e tij dhe për të treguar se “nuk ekziston asnjë justifikim legjitim për agresion”.
Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se populli iranian ka bërë gjithçka për të shmangur luftën, por se tani “ka ardhur koha për mbrojtjen e atdheut”.
Sulmet ajrore u cilësuan si shkelje e nenit 2, paragrafi 4 i Kartës së OKB-së dhe si një akt i qartë agresioni të armatosur. Teherani iu referua nenit 51 të Kartës së OKB-së, duke theksuar se kundërpërgjigjja me raketa është e drejtë ligjore dhe legjitime për vetëmbrojtje. Forcat e armatosura iraniane, sipas Ministrisë, janë më të përgatitura se kurrë dhe do të përdorin të gjitha kapacitetet për të zmbrapsur armikun.
Irani i bëri thirrje urgjente Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit për veprim të menjëhershëm lidhur me cenimin e paqes ndërkombëtare. Po ashtu, u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së, veçanërisht vendeve rajonale dhe atyre islame, që të dënojnë qartë këtë agresion që “e çon rajonin dhe botën përballë një kërcënimi të paprecedentë”.
“Tani, në kohën kur ka ardhur sprova e madhe e historisë, forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit, të frymëzuara nga trashëgimia e madhe epike e këtij vendi, duke u mbështetur te Allahu i Plotfuqishëm, duke besuar në premtimin e fitores hyjnore dhe duke u mbështetur në fuqinë kombëtare, nuk do të hezitojnë të mbrojnë atdheun tonë të dashur me gjithë forcën. Historia dëshmon se iranianët kurrë nuk janë dorëzuar para agresionit të huaj; edhe kësaj radhe përgjigjja e popullit iranian do të jetë e vendosur dhe do t’i detyrojë agresorët të pendohen për aktin e tyre kriminal. Rroftë Irani”, përfundon deklarata.

