MËSIMDHËNËSIT E KUMANOVËS ENDE PA RROGA, KOMUNA DHE MINISTRIA E ARSIMIT FAJËSOJNË NJËRA – TJETRËN
Sot është 25 shtator dhe se mësimdhënësit e të gjitha shkollave të Kumanovës nuk kanë marrë rroga. Mësimdhënës nga disa shkolla këtë situatë e kanë alarmuar tek Tv21, por duke njoftuar edhe Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës –SASHK.
Komuna e Kumanovës pranoi vonesën e rrogave, por duke thënë se faji qëndron tek Ministria e Arsimit. Kryetari i kësaj komune, Zoran Damjanovski ka theksuar se llogaritë për rrogat i kanë dërguar në Ministri para më shumë se 10 ditëve.
“Ne mund të vërtetojmë se më 12 dhe 13 shtator kemi dërguar programet, por ato i kanë hedhur dhe i kanë ruajtur në ndonjë sirtarë. Ne ato para nuk mund ti harxhojmë, sepse janë të trezorit dhe të dedikuara për shkollat”, tha Zoran Damjanovski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu për televizionin 21 tha se ai ka nënshruar lëshimin e rrogave në fillim të muajit, por pastaj ministria e finansave është ajo që i lëshon paratë tek të gjitha komunat.
“Ne si Ministri e Arsimit i nënshkruajmë rrogat dhe i lëshojmë në fillim të muajit. Mandej kalojnë rrogat në Ministrinë e Financave dhe ajo i shpërndanë tek komunat. Ngelet në menaxhimin e komunave se kur do t’i lëshojnë. Po të jetë ashtu siç pretendojnë disa komuna që fajin ia hedhin ministrisë, atëherë besoj se nuk është korrekte, sepse do të ishte çuar e gjithë Maqedonia në këmbë”, u shpreh Pishtar Lutfiu, Ministër i Arsimit.
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për Kumanovë dhe Likovë reagoi duke thënë se Ministria e Arsimit po e tepron me vonesën e rrogave. Nga kjo shoqatë gjithashtu drejtojnë akuza edhe ndaj Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës se nuk po mbron të drejtat e arsimtarëve dhe po heshtë lidhur me vonesat e rrogave.
Sipas Marrëveshjes Kolektive midis Ministrisë së Arsimit dhe SASHK, afati për lëshimin e rrogave për mësimdhënësit është prej 5 deri më së voni 15 të muajit.
Nga SASHK kanë thënë se shkak për vonesën është sistemi jo adekuat që përdor MASH për pagesën e arsimtarëve pasi që një shkollë të bëjë një gabim shumë të vogël, atëherë bllokohet i tërë procesi i lëshimit të rrogave. Nga kjo sindikatë theksojnë se kanë kërkuar vazhdimisht ndryshimin e këtij sistemi, mirëpo deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit.