Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili më 19 tetor shënoi një fitore bindëse, ka vazhduar me ritmin e investimeve në çdo lagje të komunës.
Mexhiti ka bërë të ditur se projekti i radhës që po përfundon është ai në lagjen Dizhon, ku rruga “Halim Halimiq” tashmë është asfaltuar dhe është vënë në përdorim.
“Sot ishim në Dizhon dhe pamë nga afër rrugën ‘Halim Halimiq’, e cila tashmë është asfaltuar dhe është vënë në përdorim. Ky investim përfshin kanalizimin dhe rrjetin e ri të ujësjellësit, tashmë plotësisht funksional. Një punë e kryer me standard, që i jep Dizhonit infrastrukturën që e ka merituar prej kohësh,” ka shkruar Mexhiti.
Mexhiti ka falënderuar banorët e Dizhonit për durimin dhe bashkëpunimin si dhe ekipet që punuan me përkushtim për ta realizuar këtë projekt.
“Projektet po përfundojnë një nga një dhe rezultatet po duken qartë në çdo lagje të Çairit. Urime Dizhon!”, ka përfunduar kryetari Mexhiti, duke e cilësuar këtë investim si një tjetër dëshmi të përkushtimit të ekipit të tij ndaj zhvillimit urban të Çairit.

