Mexhiti: Çarshia e Shkupit, faktor kyç për zhvillimin e komunës së Çairit

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, prezantoi sot shtyllën e tretë të programit të tij zgjedhor, të fokusuar në rilindjen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe zhvillimin e turizmit si motor ekonomik të komunës.
Në prezantim, Mexhiti theksoi se Çarshia e Vjetër është shumë më tepër se një kompleks tregtar, ajo është “historia e gjallë e Shkupit, shpirti i qytetit dhe zemra e Çairit”. Ai nënvizoi se objektivi i tij është ta shndërrojë këtë hapësirë të trashëgimisë kulturore në një qendër moderne evropiane të turizmit dhe kulturës, me projekte konkrete dhe financim të siguruar.
“Çarshia nuk është vetëm një grumbull rrugësh dhe dyqanesh. Ajo është historia jonë e gjallë, shpirti i Shkupit dhe zemra e Komunës së Çairit. Është detyra jonë jo vetëm ta ruajmë këtë perlë të paçmuar, por edhe ta ngrisim në nivelin e një atraksioni turistik evropian të rangut të lartë, të njohur në tërë rajonin. Vizioni ynë është që Çarshia të bëhet një qendër prosperuese e kulturës, turizmit dhe ekonomisë.,” – deklaroi Mexhiti.
Programi i Izet Mexhitit për rilindjen e Çarshisë së Vjetër përfshin pesë hapa kryesore zhvillimi:
1. Investime kapitale për rikthimin e shkëlqimit autentik
-Restaurime të kalldrëmeve: Konservim i plotë i rrugëve “Saraçka”, “Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe një pjesë e “Kovaçka”. Projekti është miratuar nga Qeveria dhe realizohet në vitin 2025. -Rinovim të fasadave: Vazhdojmë me rinovimin e fasadave të të gjitha dyqaneve të mbetura, duke ruajtur pamjen autentike dhe duke e shndërruar Çarshinë në një atraksion të vërtetë evropian.
-Ndriçim modern rrugor: Investojmë në një rrjet të ri ndriçimi për të rritur sigurinë dhe për të theksuar bukurinë e Çarshisë gjatë orëve të mbrëmjes.
2. Transformimi digjital për turizëm modern
-Tabela informative të mençura: Vendosim tabela interaktive në pikat kyçe – Sheshi Skënderbeu, Çarshia e Vjetër, Bit Pazar. Ato do të ofrojnë informata në kohë reale dhe Wi-Fi falas për të gjithë vizitorët.
-“Çarshia Digjitale”: Krijojmë muze virtual dhe aplikacion mobil që do të shërbejë si guidë moderne digjitale me harta interaktive dhe të dhëna historike për çdo objekt.