Mexhiti: Fillon një epokë e re zhvillimore për Çairin

Sot, në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, paraqiti para qytetarëve një përmbledhje të plotë të ofertës së tij programore.
Në një fjalim të detajuar dhe gjithëpërfshirës, Mexhiti prezantoi projektet strategjike për transformimin e Çairit në një komunë moderne dhe të zhvilluar, me theks në infrastrukturën urbane, arsimin cilësor, mbrojtjen e mjedisit, përfshirjen sociale dhe fuqizimin ekonomik.
Ai theksoi se ndryshimi në Çair tashmë ka nisur dhe se ky vizion i ri do të ndërtohet mbi vepra konkrete, mbështetje institucionale dhe partneritet të ndershëm me qytetarin.
⸻
Fjalimi i plotë i Izet Mexhitit
Të dashur qytetarë të Çairit, të dashur bashkëqytetarë, vëllezër e motra,
Çairi po ndryshon. Po ndryshon çdo ditë me vepra, punë dhe vizion të qartë për zhvillim.
E njoh Çairin mirë. E di çdo rrugë, çdo shtëpi, çdo nevojë dhe çdo sfidë. E di çfarë i mungon këtij vendi dhe e di si ta bëjmë realitet ndryshimin që qytetarët tanë e meritojnë.
Çairi është komuna me dendësinë më të madhe në Evropë dhe nuk mund t’ia dalë me buxhet vetanak. Patjetër i duhet mbështetje nga Qyteti i Shkupit dhe nga Qeveria.
Me ardhjen tonë në qeveri kemi nisur një epokë të re investimesh. Kemi kthyer dinjitetin e Çairit dhe po e shndërrojmë atë në një komunë moderne, funksionale dhe të zhvilluar, me investime madhore në infrastrukturë dhe në çdo sektor tjetër.
Sot, në ditën e fundit të fushatës, dua të ndaj me ju shtyllat kryesore të programit që do ta zhvillojë Çairin – me projekte që tashmë kanë nisur dhe të tjera që do të fillojnë shumë shpejt, për ta çuar komunën tonë në një nivel të ri transformimi.
⸻
Infrastruktura dhe urbanizimi
Çairi po ndërtohet me standarde të reja urbane. Po realizojmë rrugë të reja, ndriçim modern, kanalizime të reja dhe trotuare të sigurta në çdo lagje – nga Serova, Gazi Baba, Fushë Tophana e Dizhoni, deri te qendra e qytetit.
Në qendër të këtij transformimi qëndron projekti madhor i Unazës rreth Malit të Gazi Babës, një arterie e re qarkullimi që do të lidhë drejtpërdrejt lagjet e Gazi Babës me pjesët e tjera të qytetit. Ky projekt do të ulë ngarkesën në Bulevardin “Cvetan Dimov”, do të lehtësojë komunikacionin për mijëra qytetarë dhe do të rrisë efikasitetin e lëvizjes urbane.
Po zgjerojmë dy arteriet kryesore të Çairit, Bulevardin “Cvetan Dimov” dhe “Mit’hat Frashëri”, me korsi të reja, trotuare të gjera, ndriçim modern, pista biçikletash dhe sistem të ri kanalizimi e ujësjellësi.
Në qendër të qytetit po realizohet faza e tretë e Sheshit “Skënderbeu”, e cila do ta shndërrojë atë në simbol të modernitetit. Parkingun nëntokësor me 800 vende parkimi tashmë po e bëjmë realitet, duke zgjidhur problemin e trafikut dhe duke kthyer sheshin në vendtakim për njerëz, kulturë dhe gjallëri qytetare.
Një ndër projektet kryesore do të jetë pajisja e rreth 80 ndërtesave të vjetra banesore me ashensorë, për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës së banorëve.
⸻
Mjedisi dhe hapësirat e gjelbra
Ne po krijojmë një Çair që merr frymë.
Mega Park Çair do të jetë projekti më i madh i gjelbërimit dhe rekreacionit në historinë e komunës – me zona ujore, shtigje për ecje, hapësira sportive, kënde për fëmijë dhe ambiente për koncerte e evente.
Krahas tij, po rinovojmë Parkun e Çairit dhe po instalojmë kontejnerë nëntokësorë në çdo lagje. Kemi nisur programin e ndriçimit dhe menaxhimit të integruar të mbeturinave për një ambient të pastër, të sigurt dhe ekologjik.
⸻
Arsimi dhe rinia
E ardhmja e Çairit fillon në bankat e shkollës.
Po ndërtojmë dy shkolla të reja moderne, “Mit’hat Frashëri” dhe “Victory”, me laboratorë, biblioteka dhe ambiente bashkëkohore për mësim cilësor.
Komuna do të mbulojë tërësisht uniformat shkollore për të gjithë nxënësit dhe do të sigurojë shujta ditore falas për fëmijët e familjeve me mbështetje sociale.
Në çdo shkollë do të ndërtojmë salla sportive të reja, si dhe Sallën Multifunksionale “Çair”, që do të shërbejë si qendër për aktivitete edukative, kulturore dhe rinore.
Po ndërtojmë dy çerdhe të reja, “Borëbardha” dhe “Vesëza”, ndërsa do të ndërtojmë edhe Sallën e Madhe Sportive “Çair” me kapacitet për 3,000 spektatorë, arenë për gara kombëtare dhe ndërkombëtare.
Krahas saj, kemi nisur ndërtimin e pishinave sportive moderne dhe sallave të reja sportive në shkolla e lagje, për aktivitet fizik gjatë gjithë vitit. Po rikonstruktojmë Sallën “Partizan” dhe po hapim Qendrën Rinore “Çairçanja”, hapësirë për kreativitet, ide dhe zhvillim personal.
⸻
Përfshirja sociale dhe barazia
Në këtë komunë askush nuk mbetet pas.
Po ndërtojmë shkollën e re për fëmijët me nevoja të veçanta dhe Qendrën Ditore “Edhe Ti Je i Rëndësishëm”, për integrimin dhe përkujdesjen e tyre.
Do të adaptojmë hapësirat publike me rampa, ndriçim dhe sinjalistikë universale që çdo qytetar të ndihet i lirë dhe i barabartë.
Në qendër të këtij vizioni arsimor është Kampusi Universitar “Nënë Tereza”, një investim historik prej 40 milionë eurosh, që do ta shndërrojë Çairin në qendër të arsimit të lartë në vend.
⸻
Kultura dhe trashëgimia
Çarshia e Vjetër është historia dhe krenaria jonë.
Po vazhdojmë me projektet e ruajtjes dhe promovimit kulturor.
Do të krijojmë Institucionin “Porta e Kulturës – Tingujt e Çarshisë”, që do ta vendosë Çarshinë në hartën kombëtare të kulturës dhe turizmit.
Gjithashtu do të realizohet projekti “Çarshia Digjitale”, me muze virtual dhe aplikacion celular për promovimin e artizanatit dhe bizneseve lokale – duke bashkuar traditën me teknologjinë.
⸻
Ekonomia dhe punësimi
Po ndërtojmë një ekonomi që mbështet idetë dhe guximin e qytetarëve tanë.
Do të themelojmë Qendrën për Sipërmarrësi Rinore dhe Inovacion “HUB Çair”, si dhe Inkubatorin për Start-Up-e dhe Fondin Lokal të Inovacionit.
Do të zbatojmë Programin për Gratë Sipërmarrëse, që do të ofrojë trajnime dhe fonde për bizneset e vogla.
Krahas këtyre, do të rindërtojmë Qendrën Tregtare “Mavrovasja”, për ta kthyer në një qendër të re të ekonomisë dhe punësimit.
⸻
Fjalët përmbyllëse
Të dashur qytetarë të Çairit, këto janë vepra që po ndodhin. Janë investime që po e kthejnë Çairin në model të zhvillimit, mirëqenies dhe bashkëjetesës.
Ne po ndërtojmë një Çair që ecën me ritmin e zhvillimit, që u shërben njerëzve të tij dhe që është krenaria e Shkupit.
Sepse Çairi është shtëpia jonë.
Bashkë, me punë, përkushtim dhe dashuri për këtë vend, do ta bëjmë Çairin kampion të zhvillimit, krenarisë dhe fitores.
Ju falënderoj me zemër për mbështetjen, për besimin dhe për përkushtimin tuaj në çdo hap të kësaj fushate.
Fuqia jonë jeni ju – qytetarët e Çairit që po e udhëhiqni ndryshimin!
Ju falënderoj edhe mediat për përcjelljen profesionale të fushatës – roli juaj është thelbësor për transparencën dhe forcimin e demokracisë!