
Agjencia shtetërore e lajmeve gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE kishte dërguar disa korrespodentë jashtë vendit për të raportuar. Ata ishin të angazhuar në qendrat kryesore botërore si në Londër, Bruksel, Berlin, Uashington dhe disa qytete tjera. Asnjëri prej tyre nuk ishte gazetar shqiptar, informon INA.
Por me ardhjen e menaxhmentit të ri në këtë institucion, është dhënë urdhër për kthimin e këtyre korrespodentëve në Maqedoni. Derisa tek MIA u emërua drejtori i ri, gazetari Dragan Antonovski, zëvendësdrejtori shqiptar që tanimë 10 vite është në këtë detyrë nuk është shkarkuar.
Me rishikimin e fundit të buxhetit, Qeveria ka shkurtuar për 20 për qind buxhetin e MIA, dhe kjo sipas bordit mbikqyrës ka qenë arsye për të mos pasur përkohësisht korrespodent jashtë vendit. Vitin e kaluar për dy korrespodentë në Berlin dhe Athinë janë harxhuar 140 mijë euro në vit, pa përfshirë biletat e udhëtimit.
MIA numëron 72 të punësuar të rregullt dhe 30 honoraristë. (INA)

