Miçell: Marrëveshja e Prespës mundësi që t’iu presim si vendi i 30-të anëtar në NATO

180

SHBA-ja fuqishëm e mbështet Marrëveshjen e Prespës. Këtë e shohim si mundësi që t’iu presim si vend i 30-të anëtar në NATO, deklaroi ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm amerikan për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Ues Miçel pas takimit me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov, e para sipas agjendës së tij në kuadër të vizitës së sotme në Maqedoni.

“E dimë se nevojitej shumë punë dhe kompromise nga të dyja palët. Rruga ishte e gjatë 27 vite që të arrihet deri këtu. Biseduam edhe për hapat e ardhshëm të cilët janë të nevojshëm. Ju japim përkrahje të madhe, por përfundimisht ky është vendimi të cilën mund ta japin për vetë qytetarët e Maqedonisë. Amerika ka interesim për Ballkanin Perëndimor dhe angazhohet për stabilitet dhe prosperitet të këtij rajoni të rëndësishëm”, tha Miçel.

Ai theksoi se ka ardhur që të bisedojë me liderët e Maqedonisë për protokollet e sigurisë, marrëdhëniet strategjike në rajon, ekonominë, si dhe për mundësitë historike të cilat i jepen Maqedonisë me Marrëveshjen e Prespës.

Nga MPJ e Maqedonisë pas takimit bënë të ditur se në fokusin e bisedimeve Dimitrov-Miçell ishin perspektivat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, si dhe gjendjet aktuale politike në vend dhe në rajon.

Dimitrov, siç kumtoi MPJ, e potencoi rëndësinë e mbështetjes së mëtutjeshme të SHBA-së në integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe bashkëpunimit të vendosur në partneritetin strategjik.

“Anëtarësimi ynë i merituar në Aleancë, do të japë kontribut të madh në ndërtimin e Republikës së Maqedonisë më të prosperuar dhe më të sigurt, që do të jetë me rëndësi edhe për gjithë rajonin”, tha Dimitrov.

Ndihmës sekretari shtetëror Miçell, përsëri e riafirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE. Ai i përshëndeti përpjekjet e Maqedonisë në atë rrugë, veçanërisht me politikën konstruktive me fqinjët, si dhe arritja e zgjidhjes për kontestin rreth emrit me Greqinë.

Në këtë kontekst, ai i përsëriti pritjet për referendum të suksesshëm dhe implementim të Marrëveshjes me Greqinë, me qëllim të finalizimit të procesit të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Miçell, i cili për herë të dytë vjen në Maqedoni, përveç se me parti politike, vonë pasdite do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev pas çka do të pasojë deklaratë për media.

Përndryshe, fundjavën e kaluar vendin tonë e vizitoi senatori amerikan dhe kryesues i Komisionit për siguri shtetërore Ron Xhonson, i cili është një nga bashkësponsorët e Rezolutës së Senatit për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës.Të hënën, vjen edhe një përfaqësues i lartë amerikan – sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së Xhejms Matis. Ai vjen në Shkup që të shprehë përkrahje të qartë për referendumin e ardhshëm

“Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë të Maqedonisë dhe qartë do të bëj me dije se SHBA-ja e përkrah popullin e Maqedonisë”, qëndron në deklaratën e tij dhe shtohet brengosja se Rusia mund të involvohet në procesin e referendumit në Maqedoni.

Sot pasdite në vend do të arrijë edhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme të BE-së Federika Mogerini. Ajo do të ketë takim me Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivanov, ndërkaq do të takohet edhe me liderin e opozitës, Hristian Mickovski.

Comments