Mikela Pupa e tronditur me vrasjen e gjyqtarit në Tiranë: Po ndjej keqardhje ta rris vajzën time në këtë vend

Ish-banorja e Big Brother VIP Albania 2, Mikela Pupa, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Shqipëri, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me katër plumba menjëherë pas dhënies së një vendimi gjyqësor për një çështje pronësie.
Në një postim të gjatë në rrjete sociale, Mikela tregoi se ndodhej në trafik në momentin kur pa kalimin e autokolonës policore dhe ambulancave që po shkonin drejt vendngjarjes.
Fillimisht ajo mendoi se bëhej fjalë për një aksident, por më vonë, pasi hapi rrjetet sociale, mësoi se ishte vrarë një gjyqtar në sallën e gjyqit.
E prekur nga situata, shkroi se ndjeu trishtim dhe frikë për sigurinë në vend, duke theksuar se si nënë ndien keqardhje që po rrit vajzën e saj në një realitet ku ndodhin ngjarje të tilla tragjike.
Postimi i plotë i Mikelës (pa ndërhyrje):
“Sot si çdo ditë tjetër, isha në rrugët e Tiranës, në kulmin e trafikut, mes zhurmës së borive që biën sapo hapet semafori, duke u munduar të mbaja korsinë time, edhe pse makinat ishin në garë se kush të kalonte e para.
Papritur pashë një ndodhi që nuk e kisha hasur më parë.
E hutuar në makinë, ndërsa i këndoja Aurës, po vinin një varg motorësh policie. Njëri prej tyre më ra në xham që të hapja krahun.
Në panikun e tyre, hyra edhe unë dhe u spostova sa munda. Ishin shumë motorë, dy ambulanca dhe makina të blinduara.
“Zot çfarë ka ndodhur?”, thashë më vete. Mendova se ndoshta kishte ndodhur ndonjë aksident dhe u luta të ishin gjallë.
Por kur hapa rrjetet sociale, pashë që kishte ndodhur një ngjarje tragjike, e frikshme: në dyert e drejtësisë, pikërisht në sallën e gjyqit, ishte vrarë gjyqtari.
U trishtova, u ligështova. “Zot ç’bëhet në këtë vend”?, thashë përsëri.
Pashë vajzën time dhe ndjeva keqardhje ta rris në këtë vend”.