Ministri Arbër Ademi: Gjenerata e ’68-ës, sakrifikoi aq shumë që ne gjeneratat e reja të frymojmë kombëtarisht

324

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi sot mori pjesë në promovimin e librit “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë”, të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Gjatë eventit, ministri Ademi përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi autorët për librin në fjalë.

“Sot jemi mbledhur bashkë për të shënuar një ngjarje të rëndësishme të së kaluarës sonë historike, 50-vjetorin e demonstratave të Tetovës, të cilat bënë kthesë të madhe në zhvillimet e kohës.

Aq më tepër, nderi ynë është i madh kur këtë përvjetor po e shënojmë edhe me një vepër konkrete të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me titull: “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë”, përpiluar nga një grup studiuesish me përvojë nga institucionet tona të larta arsimore-shkencore.

Të nderuar të pranishëm,

Ngjarjet e mëdha historike gjithmonë na shërbejnë si një moment reflektimi për të analizuar, kujtuar e ndriçuar të kaluarën, dhe për të projektuar e sendërtuar të ardhmen më të mirë.

Viti 1968, ishte momenti kur edhe shqiptarët e këtyre anëve, të nxitur nga studentët dhe intelektualët e shquar të kohës, morën zemër për të shpërfaqur haptas kërkesat e tyre legjitime.

Demonstratat masive të popullatës shqiptare të Tetovës dhe më gjerë, 50 vjet më parë, ishin një grusht ndaj regjimit të kohës, i cili nuk i përfillte të drejtat kombëtare të shqiptarëve, të cilat garantoheshin edhe me kushtetutë.

Shqiptarët e këtyre anëve morën zemër nga shëmbëlltyra e figurës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nga guximi dhe trimëria e krerëve të Lidhjes së Prizrenit, nga flamurtarët e Vlorës dhe nga amaneti i rilindësve tanë. Ata kërkuan të drejtën legjitime për arsim shqip në të gjitha nivelet, të drejtën legjitime për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar shqiptar, dhe trajtim të barabartë në të gjitha mekanizmat shtetëror.

Jehona e atyre demonstratave u ndje në të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë, që nga Struga e deri në Kumanovë, dhe më gjerë, të cilët përmes përdorimit të hapur të flamurit kombëtar shqiptar, i rrëfyen botës vlerat tona të veçanta identitare, të cilat duhej të kultivoheshin pavarësisht rrethanave të kohës.

Flamurtarët e vitit 1968, ishin baza te të cilët u sendërtuan idealet e gjeneratave të mëpastajme, për liri dhe barazi të plotë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës politike, shoqërore, arsimore, kulturore, etj.

Të nderuar të pranishëm,

Duke uruar Institutin shqiptar të Shkupit dhe autorët e monografisë për këtë vepër të rëndësishme, më lejoni që të shprehë kënaqësinë, që edhe ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, kemi dhënë kontributin tonë, që ky projekt të realizohet me sukses.

Urime dhe përgëzime më të sinqerta gjeneratës së vitit 1968, të cilët sakrifikuan më së shumti nga jeta dhe fati i tyre, që ne gjeneratat e reja të rritemi me frymëzimin për ta dashur më shumë gjuhën, kulturën, flamurin dhe kombin”.

Comments