Ministria e Hajrullah Çekut do të paguajë një ekspert 5,560 euro në muaj
Ministria e udhëhequr nga Hajrullah Çeku e ka angazhuar një ekspert të cilin do ta paguajë 5,560 euro në muaj.
Visar Salihu ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë 133 mijë e 440 euro si menaxher i lartë i portofoleve – Analist i lartë i politikave, raporton Kallxo.com
Salihu, i cili e ka fituar këtë kontratë përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës.
Eksperti i angazhuar nga ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës.
Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë se sa kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti, një prej vendimeve të para që kishte marrë së bashku me kabinetin e tij ishte ulja e pagës së kryeministrit, ministrave dhe stafit politikë. Derisa Vetëvendosje ishte në opozitë, kishin dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën e Prishtinës kur Ramush Haradinaj, atëherë kryeministër, kishte marrë vendim për rritje të pagës së tij dhe kabinetit qeveritar.
“Me pas kryeministri rrogën më shumë se 10-fishi i pagës mesatare në vend është e papranueshme. Një pensionist i merr 75 euro, qytetarët që marrin ndihmë sociale edhe më pak. Me një kalkulim të thjesht i bie se Haradinaj me ministra do t’i kenë pagat më shumë se 40-fishi i pensioneve!” – kishte thënë në atë kohë Albulena Haxhiu për vendimin e Haradinajt.

