Ministria e Jashtme shpreh ngushëllimet: Deri tani nuk ka shqiptarë mes viktimave të tërmetit në Itali



Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave të tërmetit që goditi natën që lamë pas disa rajone të Italisë.
Ministria jonë e Jashtme shprehet se po ndjek nga afër situatën në vendin fqinj, duke theksuar se nga informacionet e deri më tanishme nuk rezulton të ketë shqiptarë të lënduar.
“Ministria e Punëve të Jashtme solidarizohet me Italinë mike në këto momente të vështira të shkaktuara prej tërmetit që goditi dje në mbrëmje rajonet e Lazios dhe Marches, me pasojë humbjen e jetëve njerëzore dhe dëme të mëdha materiale. Duke Ju gjendur pranë qeverisë dhe popullit Italian në këto çaste të vështira shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave”, thuhet në reagim.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të situatës dhe nga njoftimet e deritanishme nga Ambasada jonë në Romë informohemi se deri në këto momente nuk rezulton që të ketë qytetarë shqiptarë të lënduar. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rome për t’ju ardhur në ndihmë, vendos në dispozicion të qytetarëve shqiptarë numrin e emergjencës +393420498192. Ministria e Punëve te Jashtme, është në ndjekje të situatës dhe do të informojë në vijimësi opinionin publik”, thuhet më tej.