Një vendim i paprituri i Ministrisë së punës dhe politikës sociale drejtuar konviktit “Tome Stefanovski-Seniç” ka shqetësuar të strehuarit nga rajonet e përmbytura në Shkup pasi kërkohet që më 10 shkurt të gjithë të strehuarit të lëshojnë hapësirat e konviktit.Në vendim nuk përmendet asnjë arsye për në gjë të tillë. Banorët e strehuar shprehen të revoltuar për shkak se, siç thonë ata, ende nuk kanë rindërtuar shtëpitë e tyre.
“Sikur të kem se ku të shkoj unë do të dal menjëherë, nuk kam ku të shkoj. Nuk kemi arrit të ndërtojmë asgjë”.
“E morëm lajmin që me 10 shkurt të largohemi prej këtu. Ne nuk kemi ku të shkojmë, shtëpinë e kam të rrënuar, të shkatërruar, nuk ka vend aty për të jetuar”.
“Nuk kemi ku të qëndrojmë, me dëshirë nuk kemi ardhur, prej zorrit kemi ardhur. Bile edhe një ose dy muaj të na mbajnë, sa të ngrohet moti, që të mundemi të punojmë diçka”
“Është e papranueshme, do të dalim para Ministrisë, le të na gjejnë dhoma tjera, do t’ju hymë edhe nëpër shtëpi nëse është nevoja, s’kemi ku shkojmë”
Ndërkohë, drejtori i konviktit Lulzim Xhemaili tha se një vendim i këtillë është tendencioz dhe se nuk do ta zbatojë atë.
Së pari duhet të shihen argumentet, faktet se a kanë të njëjtit ku të shkojnë. Përndryshe do të apeloja deri te ministri ti sheh kushtet, mënyrat dhe a kanë mundësi të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Unë pres njoftim zyrtar, pres të analizohen të gjitha kushtet, nëse kanë mundësi do të kthehen por nëse nuk kanë mundësi unë nuk do të marr masa që të njëjtit të largohen nga konvikti – tha Lulzim Xhemaili, drejtor i konviktit “Tome Stefanovski-Seniç”.
Nga Ministria e punës dhe politikës sociale deri në këto momente nuk dhanë asnjë prononcim lidhur me këtë vendim. Për momentin në konviktin” Tome Stefanovski-Seniç” janë të strehuar 101 banorë nga rajonet e përmbytura./Alsat-m