Ministrja Reshitaj ka këto porosi për kryetarët e komunave me shumicë serbe…

243

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj gjatë kësaj konference iu drejtua kryetarëve të Komunave në lidhje me shumë çështje të mjedisit dhe planifikimit hapësinor për të cilat komunat duhet të angazhohen më shumë.
“Kosova ka ligje dhe akte nënligjore konform direktivave të Bashkimit Evropian, por zbatueshmëria e tyre nuk është në nivelin e duhur, kemi investuar në shumë projekte kapitale të cilat nuk janë menaxhuar si duhet nga institucionet përgjegjëse, andaj kërkoj nga ju që bashkërisht t’i shtyjmë proceset përpara”, ka thënë ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj iu drejtua me porosi të qarta edhe kryetarëve të komunave me shumicë serbe, pjesëmarrës në këtë takim.

Ajo tha se mjedisi, natyra është e përbashkët dhe e tillë duhet të trajtohet, duke kërkuar që vullnetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë t’i bashkohen iniciativave për pastrimin dhe gjelbërimin e shtetit.

“Më vjen keq për ata fëmijë që tani janë bërë burra e gra, që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë jetë të izoluar, me dhjetëra gjenerata që nuk kanë çfarë të kujtojnë nga fëmijëria e tyre pos urrejtjes, izolimit, mos qasjes në liri e integrim shoqëror. Ju lus që të ndalojmë së mbjelluri urrejtje tek fëmijët tonë, ne jemi ata që më së miri i dimë pasojat sepse i kemi bartur vetë mbi supet tona”, ka shtuar ajo.

“Jemi ne ata që mund dhe duhet të fillojmë kthesën e proceseve në drejtim të duhur, andaj ju ftoj të gjithëve që bashkë të punojmë për ndërtimin, zhvillimin dhe integrimin e shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtar”, përfundoi ministrja Reshitaj.

Comments