Misteri i shpellës së Baçishtit, IML analizon mostrat, opinioni pret përgjigje



Ndërkohë që ka nisur nxjerrja e eshtrave nga kjo varrezë masive e cila dihej që ekzistonte, në Kërçovë mbetet ende mister prejardhja e rreth 70 kafkave dhe eshtrave, mes tyre edhe të fëmijëve, të gjetura në shpellën përmbi Baçisht.
Tashmë një muaj prokuroria ka hapur dosjen “Kafkat” dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup tash kanë filluar analizat e mostrave të marra nga shpella.
Analizat pritet t’i japin fund dilemave se prej kur datojnë këto eshtra dhe nëse në afërsi të shpellës ka ndonjë varrezë masive.
Edhe pse jozyrtarisht, ekspertët vlerësojnë se mbetjet mund të jenë zhvendosur në shpellë nga ujërat nëntokësorë. Shpella dhe kafkat brenda saj nuk janë të panjohura për organet e hetuesisë.
Madje, ato kanë qenë objekt edhe i një dokumentari, por më pas kjo histori është heshtur. Tashmë që hetimet kanë filluar dhe eshtrat janë në duart e ekspertëve, pritet që të mbyllen edhe dilemat se cilës periudhë i takojnë ato, që do të zbardhnin edhe të vërtetën se kujt i përkasin këto eshtra, nëse bëhet fjalë për ekzekutim masiv dhe në çfarë periudhe është kryer i njëjti.