Mjeku nga Maqedonia përplas qenin para një ndërtese në Sofje, reagime të ashpra
Sofje, 11 nëntor – Një valë reagimesh është shkaktuar në Bullgari pasi një mjek nga Maqedonia ka përplasur me makinë një qen para një ndërtese në Sofje.
Incidenti ka ndodhur gjatë fundjavës në lagjen Rasadnik, ndërsa një video e shqetësuese nga kamerat e sigurisë po shpërndahet masivisht në rrjetet sociale.
Në pamje shihet se si automjeti del nga një parking nëntokësor dhe e përplas qenin që po qëndronte shtrirë para ndërtesës, ndërsa më pas shoferi ndalet, del nga makina dhe, pasi sheh çfarë ka bërë, largohet nga vendi i ngjarjes.
Mediat bullgare raportojnë se bëhet fjalë për një mjek 29-vjeçar nga Maqedonia, i cili punonte në Akademinë Ushtarako-Mjekësore në Sofje.
Në polici ai ka mohuar se e ka përplasur qenin me qëllim. Prokuroria ka hapur hetim paraprak dhe po e shqyrton rastin. Mediat bullgare shkruajnë se ligji parashikon dënim me burg deri në tetë vjet nëse vërtetohet se ka pasur qëllim.

