MODELE EUROPIANE – ZVICRA, VENDI I RREGULLIT DHE I DISCIPLINËS
Zvicra është vend në Evropës Qendrore, me rreth 8 milionë banorë, gjegjësisht: gjermanë (68 përqind), francezë (20), italianë (7) dhe romanë (0.5) në kantonin Graubinden. Gjuhët zyrtarë janë: gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe retoromanishtja. Ka rreth 42 përqind katolikë dhe 33 përqind protestantë. Çdo kanton ka të drejtë që të zgjedh vetë gjuhën zyrtare, por duhet t’i respektojë në maksimum gjuhët e pakicave dhe strukturën historike të rajonit. Të huajt mund të komunikojnë në katër gjuhët zyrtare.
RREGULLIMI SHTETËROR. Zvicra është republikë federale e parlamentare, me 26 kantone dhe me demokraci të drejtpërdrejtë. Ajo ndjek politikë neutrale të jashtme. Për çdo ndryshim në kushtetutë apo ligje organizohet referendum. Thuhet se teprohet me referendume. Por kjo është Zvicra, që e dëgjon deri në ekstrem mendimin qytetar.
Kantonet janë pothuajse të pavarur: kanë kushtetutë, ligje në përputhje me ligjet federale, parlament, qeveri dhe gjyqe. Jeta ndryshon nga kantoni në kanton dhe tatimet mund të jenë të ndryshme.
Zvicra ka tre nivele qeverisjeje: federatën, kantonet dhe komunat. Federata kujdeset për mbrojtjen dhe rregullimin e trafikut. Kantonet kujdesen për shkollimin, policinë, shëndetësinë. Komunat gjithashtu kanë shumë kompetenca. Të drejtë vote kanë qytetarët mbi 18 vjet. Qeveria përbëhet nga shtatë anëtarë, pra shtatë ministra. Parlamenti çdo vit e zgjedh kryetarin e shtetit. Parlamenti është dydhomësh: ai nacional (Nationalrat), që përfaqësohet nga populli dhe kantonal (Standerat), pra përfaqësim kantonal. Zvicra, si shtet i së drejtës, ka gjyqësor tërësisht të pavarur.
Qytetet më të rëndësishme janë: Berni, Cyrihu, Baseli, Lucerni, kurse Gjeneva është edhe selia e OKB-së. Nuk ka kryeqytet zyrtar, ndonëse konsiderohet Berni. Nuk mund të jetë Cyrihu, sepse i është bashkangjitur konfederatës më vonë nga kantonet tjerë. Zvicra ka më shumë se 3000 komuna dhe çdonjëra prej tyre e ka këshillin komunal. Udhëhiqet nga prefekti, kurse në disa kantone nga kryetari i komunës. Kantoni ka kontroll të kufizuar te komunat. Komuna mbledh tatimet, udhëheq me kompanitë e komunaleve, shkollat fillore, mirëqenien e qytetarëve dhe ndihmon të varfrit e të sëmurët. Ajo vendos e para, kurse kantoni intervenon pas ankesave.
Zvicra ka histori qindravjeçare, shumëkulturore, por nuk ka qenë përherë kështu. Përgjatë një procesi të gjatë historik është krijuar njëfarë mbikombi, me të cilin identifikohen qytetarë origjinash të ndryshme kombëtare (gjermanët, francezët, italianët e retoromanët).
GJEOGRAFIA DHE EKONOMIA. Zvicra është vend alpin. Rreth 70 përqind e vendit është malor, me dhjetëra maje me mbi 4000 m. Është vendi i mbi 1.500 liqeneve, ku 60 përqind e rrymës prodhohet nga hidrocentralet. Zvicra është vend bukurish idilike, peizazhesh mahnitëse, vend i pastërtisë. Është vend i djathit, i çokollatave, i orëve precize dhe i bankave të shumta (një bankë për çdo 1600 banorë). Është ndër vendet më të pasura të botës dhe renditet ndër vendet më të lumtura në botë.
VEND I LIGJIT. Zvicra është vendi i rregullit dhe i disiplinës. Është shtet i së drejtës dhe me shkallë të ulët kriminaliteti. Aty ku funksionon shteti, qytetari nuk ka nevojë që të bëjë vetëgjyqësi. Është vend ku njerëzit e kanë të theksuar ndjenjën për jetën e përbashkët. Policia është mbrojtëse ekstreme e ligjit. Para ligjit të gjithë janë njësoj: qytetari, politikani, biznesmeni, ministri e kryeministri. Policia nuk bën tolerime ndaj shkelësve të ligjit, pavarësisht kush është shkelësi. Shpesh thuhet se çdo zviceran është një polic, por kjo nuk është e vërtetë. Çdo zviceran është qytetar, që s’e fal askënd që abuzon me pronën publike. Zvicerani paguan taksa për policinë, por e di se nuk mund ta mbrojë nëse nuk ndihmohet nga qytetari.
KRYEFJALA ZVICERANE. Për zviceranët ekzistojnë stereotipa, që konsiderohen të mbyllur, të ftohtë, të përmbajtur, të qetë, kursimtar. Zvicra është vendi ku nuk ka pasur luftë nga viti 1515, por historia e Zvicrës nuk është pa tronditje. Në luftërat e mëdha gjermanët e Zvicrës ishin me Gjermaninë, kurse francezët me Francën. Zvicra (gjer. Schweiz, fr. Suisse, it. Svizzera, ret. Svizra) kufizohet me Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Lihtenshtajnin dhe Francën. Valuta është franka zvicerane. Zvicra ka 26 kantone dhe është shtet neutral, në planin politik, nga viti 1815. Kryefjala e shtetit është: “Të gjithë për një, një për të gjithë” (“Unus pro omnibus omnes pro uno”), që përmbledh ndjenjën e qytetarisë për shtetin. Shkurtesa është CH (Confoederatio Helvetica ose Konfederata Helvetike), që është emri zyrtar i shtetit dhe u zgjodh nga gjuha latine që të shmangej favorizimi i ndonjërës prej katër gjuhëve zyrtare. Dominimet gjuhësore gjithmonë prodhojnë antagonizmat, më pas shkaktojnë tensione dhe konflikte ndërmjet grupeve të ndryshme gjuhësore, kulturore, etnike.
Krahasimet me Maqedoninë janë të pamundshme. Disa nga politikanët tanë aktual, që kanë jetuar me vite në Zvicër, ose nuk kanë mësuar asgjë në këtë shtet ose janë hipokritë dhe duan që të na bindin për diçka që nuk është në të vërtetë, veçmas për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Thanë se gjuha shqipe është zyrtare dhe menduan se u besuam; pastaj thanë se është pjesërisht zyrtare, por kur u pa se nuk ishte as pjesërisht, atëherë premtuan se do ta zyrtarizonin plotësisht!
EMIGRANTËT. Zvicra ndjek politikë miqësore ndaj emigrantëve. Në Zvicër jetojnë pjesëtarë të rreth 140 kombeve. Çdo i pesti banor s’ka pasaportë zvicerane. Çdo e treta martesë është e përzier. Ata e pasurojnë vendin ekonomikisht dhe kulturalisht. Të huajt kanë hapësirë të barabartë dhe mbrohen nga diskriminimi për shkak të origjinës. Çdo qytetar ka të drejtë ta zgjedh religjionin, por obligohet t’i respektojë religjionet tjera. Banorët, krahas ligjeve, duhet t’i respektojnë edhe rregullat e komunitetit. Zvicra kërkon angazhim qytetar.
ARSIMI. Zvicra ka sistem të përsosur arsimor. Shkollimi i detyruar primar (6 vjeçar) dhe sekondar (tre vjeçar). Ka trajtim të veçantë për nxënësit me nevoja të veçanta. Sipas kërkesës mund të organizohet mësim në gjuhën e nxënësve të kombeve të ndryshme. Shkollat, çerdhet dhe kopshtet janë të bukura dhe të sigurta dhe ndalohet rreptësisht përdorimi i çdo dhune ndaj nxënësve. Fushat e sportit janë të shumta. Në qyteza e fshatra ka më shumë fusha sporti se sa ka nevojë për kokë banori.
Nga universitetet e saj kanë dalë emra të njohur të shkencës, artit e kulturës. Zvicra ka disa universitete, kurse i pari është i Bazelit, nga 1460. Në Universitetin ETH të Cyrihut ka studiuar edhe Albert Ajnshtajni.
SHËNDETËSIA. Zvicra garanton sigurimin shëndetësor. Çdo person është i siguruar nga fatkeqësitë në vend të punës. Nëse jeni të papunë merrni mbështetje financiare, vetëm nëse keni punuar 12 gjatë 24 muajve. Lehonat kanë 14 javë pushim me 80 përqind rroge. Secili përcaktohet për mjekun familjar. Ndihmohen pleqtë, fëmijët jetim dhe invalidët. Spitalet duken më shumë si vende pushimi se sa streha të sëmurësh. Nuk e ndjen erën e barnave. Një pastërti mbresëlënëse.
AZILET E PLEQVE. Azilet e pleqve ngjajnë si hotele, sepse ata kanë investuar gjithë jetën e tyre nga rroga e tyre. Pleqtë nuk kanë nevojë për fëmijët e tyre, përpos se i kanë fëmijë dhe duan të jenë pranë tyre apo t’i kenë pranë. Pleqtë nuk janë ngarkesë të fëmijëve. Nuk kanë nevojë që t’u servilohen për të siguruar një përkujdesje. Gjithçka i duhet pleqërisë e kanë në azile.
VEND TUNELESH. Zvicra është vend tunelesh të shumtë në ndërtimin e të cilave kanë marrë pjesë vitet. Tuneli “Gotard” është më i gjati në botë me 57,1 km. Sa herë hapet ndonjë tunel që e shkurton rrugën nuk bëhet çështje kombëtare. Politikanët nuk mund të mburren se kanë bërë shumë për komunitetin. Ata paguhen për këtë punë. Ata ndërtojnë me paratë e qytetarëve. Aty ku vështirësohet lëvizja është tmerr. Në Zvicër kjo është rregulluar në mënyrë perfekte. Secili banor e ka vendin e tij të parkimit.
E DREJTA E PUNËS. Zvicra është gjenden në mesin e 10 vendeve të botës ku gjen punë më lehtë.
Zvicra i kushton shumë kujdes aftësimit për dhe pavarësisë ekonomike të qytetarëve. Këtu ekziston e drejta liberale e punës. Gjatë javës punohet 42 deri 50 orë. Nuk ka ligj për paga minimale. Respektohet diploma profesionale. Ndalohet rreptësisht “puna në të zezë”, sepse e dëmton shtetin dhe shoqërinë.
Shmangia nga pagesa e tatimeve konsiderohet vepër e rëndë penale.
Në Zvicër kanë të drejtë pune të gjithë shtetasit e BE dhe ata që i përfshin ligji për azil.
S. Salihu