“Monstra”, Raufi: dëshmitari i mbrojtur dëshmon rrejshëm

290

Ai në pyetje të prokurores speciale, Fatime Fetai, identifikoi 3 nga gjithsej katër të akuzuar në seancë, Sami Lutën, Fejzi Azirin dhe Agim Ismailoviqin. Ai tha se ka parë katër persona që me veturë të tipit GOLF 3 ditën dhe disa ditë para ngjarjes në afërsi të Liqenit të Smilkovcës. Edhe pse më herët për Sami Lutën kishte deklaruar se ka një plagë të kuqe e të përhershme në fytyrë, të njëjtën sot tha që nuk e sheh.
Mbrojtja deklaroi se dëshmitari është konfuz dhe i udhëzuar për dëshminë e tij dhe për këtë dyshojnë në vërtetësinë e dëshmisë. Ata thonë se në dëshminë e tij është i bazuar edhe aktgjykimi i parë për këtë rast, të cilin e shfuqizoi Gjykata Supreme dhe lënda u kthye për rigjykim.
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, deklaroi se nga seanca e sotme u vërtetua se ky dëshmitar është i rrejshëm, pasi që të gjitha deklaratat e dhëna deri më sot kanë qenë të ndryshme.
“Nuk punohet për atë që e ka harruar, por për atë se ky dëshmitar është i ish-prokurorisë dhe i montuar, praktikisht në bazë të këtij dëshmitari u montua gjithë rasti “Monstra”. Vet periudha se kur e ka marrë statusin e dëshmitarit tregon se ky dëshmitar ka qenë si alibi për prokurorinë të ketë aktgjykim dhe aktakuzë para aktgjykimit”,– tha avokati, Naser Raufi.
Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve në rastin “Monstra”, thekson se dëshmitari është i përgatitur, punon me kërcënime dhe dhurata.
“Këtij dëshmitari duhet t’i shkohet për ngushëllime në shtëpi, sepse dita ditës po zbulohen, pasi që e dimë se si rregullohen dhe si përgatiten për seancë gjyqësore. Vazhdimisht unë do t’u dëshmoj se si njësiti për përgatitjen e këtyre dëshmitarëve ka punuar me këta nën kërcënime, me dhurata e nuk di se çfarë. Vet do të zbulohet, njësoj siç është rasti me atë dëshmitarin me emrin e koduar “Breza” në rastin “Oreshe”, i cili bukfalisht tregon në deklaratat e tij se si inspektorët e policisë vazhdimisht nën kërcënime e kanë detyruar ta thotë atë që ata dëshirojnë dhe atë që duhet vetëm që ta mbulojnë rastin”,– theksoi familjari, Bedri Ajdari.
Seanca e sotme u ndërpre me arsyetimin se dëshmitari i mbrojtur është lodhur gjatë dëshmisë së tij dhe se i njëjti do të vazhdojë të dëshmojë më 24 gusht. Me këtë rast, prokurorja Fetai kërkoi detaje nga ekstradimi i Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit, pas çka u njoftua se akoma presin përgjigje nga autoritetet e Kosovës./RTVM2

Comments