Mos-zgjedhja e kreut të komunës, protestë në Bogovinë | VIDEO

174

“Alo Qeveria”, “mos luani me dinjitetin e arsimtarëve”, “pa arsim s`ka zhvillim”, këto ishin disa nga parullat që u shpalosën në protestën e sotme para komunës së Bogovinës, të organizuar nga Sindikata e Arsimtarëve dhe punëtorëve shkencorë për të shprehur pakënaqësinë për vonesën e zgjedhjes së kreut të ri të Komunës. Ata kanë përsëritur edhe një herë qëndrimin se inatet politike duhet të lihen anash nga këshilltarët, ndërkohë që kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria për zgjidhjen e problemit.

“Ngërçi politik na ka shkaktuar probleme serioze neve arsimtarëve dhe administratës komunale, dhe shkollave nga mos pagesa e rrogave. Komfor statutit dhe rregulloreve të SASHK-ut marrëveshjes kolektive të inkorporuar në ligj për arsim fillorë të mesëm, universitar dhe politikës sociale, nënkuptohet se do marrim gjitha masat, si protesta, bllokim të rrugëve dhe institucioneve lokale, ndëshkime gjyqësore deri në përmbushjen e kërkesave tona legjitime dhe të pakontestueshme. Apeloj që Qeveria urgjentisht të merr masa për zgjidhjen e situatës- tha Teuta Sejfullai, kryetare e SASHK-së.
Arsimtarët shprehen të revoltuar, dhe kërkojnë nga këshilltarët që të lënë anash inatet politike.
“Të gjithë këta punëtor në arsim tanimë i kanë të bllokuara proceset e sigurimit dhe nga xhepi i tyre paguajnë çdo ditë në mënyrë aksidentale. Unë pata rastin para dy ditësh një mësues punëtor i imi 1800 euro ka paguar për koronografi në Spital në Tetovë, një tjetër dje ka blerë privatisht 3800 denarë barnat që i konsumon- tha një arsimtar.
“Ne të gjithë e dimë se këta që janë pas neve janë të zgjedhur nga ne dhe mos harrojnë se shpejt do i kenë edhe zgjedhjet lokale atëherë le ta mendojnë se si do jetë për ata. Prandaj erdhëm këtu që të jemi gjithë bashkë dhe keni përkrahjen nga i gjithë SASHK-u- tha një tjetër arsimtar.
Protestat pritet të vazhdojnë edhe ditët në vazhdim, ndërkohë që, nëse problemi nuk zgjidhet shpejt, nuk përjashtohet mundësia për radikalizmin e tyre.
Një ditë më parë këshilli i komunës së Bogovinës për të dytën herë dështoi që të zgjedh ushtruesin e detyrës kryetar komune, shkaku i inateve politike mes këshilltarëve. Gjatë ditës pritet njoftim i ri për mbajtjen e seancës së këshillit të komunës.

Comments