Sa e njohin shqiptarët, si të Shqipërisë ashtu edhe ata të Kosovës, natyrën dhe resurset turistike të trevave kosovare? Një pyetje paksa sugjestive, por që e ka edhe një përgjigje: Është për të ardhur keq, por shumë pak. Ndaj shkrimi i mëposhtëm rreket të hedhë paksa dritë dhe të japë të dhëna mbi disa nga vendet më të bukura të natyrës kosovare.
Kosova karakterizohet me florë dhe faunë heterogjene, endemike dhe shumë interesante. Kjo pasuri natyrore është edhe rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar, euro-siberian dhe atij nordiko-alpin si dhe i ndryshimeve të shpeshta të kushteve ekologjike në të kaluarën.
Ndonëse Kosova është një vend i vogël, shquhet për një biodiversitet mjaftë të pasur. Pozita e saj gjeografike, faktorët gjeologjikë, pedologjikë, hidrologjikë, relievi dhe klima kanë mundësuar që Kosova të ketë një diversitet mjaft të pasur biologjik dhe peizazheve, ku vlen te theksohet prania e llojeve të Hotel_Sharri2rralla dhe me rëndësi të veçantë. Në aspektin e shumëllojshmërisë së florës dhe faunës në veçanti me lloje bimore endemike, relikte dhe endemorelikte veçohen Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Pashtriku, Koritniku, Shala e Bajgorës duke mos lënë anash edhe pjesën qendrore të vendit.
Nuk ka një “inventar” zyrtar të botës bimore dhe shtazore të Kosovës, por nga hulumtimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, mendohet së në Kosovë gjenden rreth një shumëllojshmëri e madhe bimësh dhe kafshësh. Mbi të gjitha këtu ka mbi 200 bimë endemike dhe endemorelikte dhe dhe subendemike. Sidomos është i rëndësishëm grupi i endemikëve lokalë, llojeve autoktone, të cilat gjenden vetëm në Kosovë. Prej këtyre llojeve vlen të veçohen bimët vaskulare si: Cynoglossum krasniqi, Cerastium neoscardicum, Plantago dardanae, Tulipa kosovarika, Tulipa luanica, mandej llojet e insekteve si Bathyscidius comottiorum, Neelus klisurensis, ato më të reja të zbuluara siç janë Chaetopteroides kosovarorum dhe Drusus dardanicus etj. Me një studim më të hollësishëm, më të organizuar dhe më të institucionalizuar, kjo listë me lloje të reja do të ishte edhe më e madhe.
Në territorin e masiveve malore të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna mund të gjenden lloje të bimëve dhe shtazëve që janë mjaft të rralla, jo vetëm për rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë. Shumë prej këtyre llojeve janë relikte, endemike, të kërcënuara nga zhdukja dhe për këtë arsye gjenden jo vetëm në Listën e Kuqe kombëtare por edhe në listat dhe Konventat ndërkombëtare. Disa herë ka rastisur që hulumtues të huaj, kanë ardhur në ekspedita të ndryshme hulumtuese në Kosovë duke u kthyer me material i cili ka rezultuar me lloje të reja për shkencë.
Kosova është mjaft e pasur edhe me lloje të ndryshme të bimëve mjekësore dhe aromatike. Rajonet më të pasura të Kosovës me këto bimë janë Malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna ku në këto rajone dominojnë boronica, dëllinja, aguliçja etj – lloje këto mjaft të rëndësishme dhe të vlefshme si në tregun tonë e posaçërisht në atë ndërkombëtarë. Sipas inventarizimit të vitit 2010, Kosova ka potencial për të grumbulluar rreth 30,000 tonelata të bimëve mjekësore dhe aromatike duke përfshirë 85 lloje me potencial të lartë ekonomik siç janë rigoni, menta, dëllinja, boronica, kaça, lule basani, kamomili etj.
Në këtë florë mjaft të pasur, krahasuar me sipërfaqen që ka Kosova në kuadër të gadishullit ballkanik, mund të thuhet se Kosova ka rreth 25 % të florës së Ballkanit dhe rreth 18 % të florës së Evropës.
Kosova, krahasuar me territorin shqiptar, i ka ruajtur vlerat e veta natyrore dhe, fatmirësisht së bashku me disa shtete fqinj ndan një pjesë të natyrës ende të paprekur. Mirëpo në vitet e fundit nga veprimi i pandërgjegjshëm i faktorit njeri, disa lloje bimore e shtazore janë zhdukur përgjithmonë, disa janë para zhdukjes, ndërsa sipërfaqe të mëdha pyjore janë degraduar ose janë në rrezik të vazhdueshëm të degradimit.
Nuk ka ende ndonjë të dhënë të saktë shkencore se sa lloje bimore dhe shtazore figurojnë të zhdukura deri më tani në Kosovë, mirëpo sipas disa shënimeve nga autorë të ndryshëm llogariten se janë disa prej tyre Psh, deri në fund të viteve `80, në masivin e Gërmisë ishte prezent lloji endemik i Ballkanit – ngjitësja e Mateit (Galium mattei), por në fund të viteve ‘70 është vërtetuar si e zhdukur nga aktivitetet e faktorit njeri. Lloje të zhdukura bimore llogariten që janë edhe: zhabinorja drapërore (Cerathocephala falcata), gështalla e gardheve (Calystegia sepium), bari i uzos (Dictamnus albus), lulengjitësja me kurorë (Lychnis coronaria), polistiku heshtak (Polystichum lonchitis) etj.
Kafshë të rralla si rreqebulli, kaprolli, shqiponja e maleve, gjeli i egër, por edhe lloje të ndryshme peshqish, amfibesh, repitlesh etj. rrezikojnë të zhduken nga dita në ditë nga ekosistemet e tyre si pasojë e humbjes dhe fragmentimit të habitateve, gjuetisë së pakontrolluar dhe pa kritere e sidomos gjatë periudhës së riprodhimit, degradimit të ekosistemeve, shpyllëzimit, zhvillimit të bujqësisë intensive etj. të cilët janë faktorët kryesorë të zhdukjes së këtyre llojeve të kafshëve. Llojet si shkaba mjekroshe (Gypaetus barbatus), coftinari (Gyps fulvus) dhe disa lloje tjera tani më llogariten të zhdukura në Kosovë.
Në bazë të hulumtimeve është vërtetuar se në rrezik të zhdukjes janë edhe shumë lloje tjera bimore dhe shtazore. Për shkak të këtij rreziku, pjesa më e madhe e llojeve të kërcënuara bimore tani më janë pjesë e Librit të Kuq gjegjësisht Listës së Kuqe të florës vaskulare të Kosovës e po ashtu këtë vit pritet të fillojë edhe projekti për hartimin e Librit të Kuq te faunës, në kuadër të një projekti të përbashkët mes Universitetit të Prishtinës dhe Institutit për Mbrojtjen e Natyrës që nënkuptohet se ato tani më do të mbrohen me ligj.
Llojet më të rëndësishme të kurrizoreve të mëdhenj janë: ariu i murrmë (Ursus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), rrëqebulli ballkanik (Lynx lynx ssp. balcanicus), kaprolli (Capreolus capreolus), pulegra e madhe (Tetrao urogalus), shqiponja perandorake (Aquilla heliaca), shqiponja e maleve (Aquila chrysaetos) etj.
Shpallja e afërsisht 11 përqind të territorit të vendit zonë e mbrojtur vlerësohet si një nga objektivat më të rëndësishme të arritura me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të biodiversitetit të Kosovës e që në të ardhmen kjo sipërfaqe pritet të jetë edhe më e madhe. Një koordinim më i mirë midis institucioneve përgjegjëse si dhe atyre shkencore mund dhe duhet të jetë synim që duhen ndjekur dhe zhvilluar në të ardhmen me qëllim të inventarizimit, monitorimit dhe menaxhimit sa më të mirë të biodiversitetit.
Prevalla
Prevalla është një ndër vendet më piktoreske që ka Kosova. Ky vend malor gjendet 28 kilometra larg Prizrenit. Prevalla ka bjeshkë dhe male të bukura si dhe një lum me shkëmbinj të mëdhenj ku turistët kanë mundësi të shohin bukuri natyrore nga me të ndryshmet. Në dimër atje ka borë dhe një pjesë e vizitorëve e shfrytëzojnë për të bërë ski.
Rruga nga Prizreni e deri në Prevallë është e asfaltuar mirë, por është edhe e veçantë pasi në të dy anët e rrugës ka bjeshkë të bukura dhe shkëmbinj të mëdhenj që i japin asaj pjesë një pamje përrallore.
Ky fshat turistik tashmë numëron me qindra shtëpi malore, hotele dhe motele. Çmimet e fjetjes për një natë janë të ndryshme, varësisht nga hoteli ose moteli që variojnë nga 20 deri në 50 euro.
Ky vend ka qindra hektarë me pyje, por në disa vende shihet se ka prerje ilegale të pyjeve gjë që të prish humorin në këtë vend piktoresk.
Në malet e Prevallës ka kafshë të ndryshme të egra, dhe gjurmët e tyre mund të shihen në borë. Fatkeqësisht në këto anë ka edhe shumë gjuetarë që shkojnë pas gjurmëve të kafshëve dhe i vrasin ato.
Vizitorët shprehen të kënaqur me bukuritë natyrore të Prevallës, por edhe me çmimet e akomodimit, ata thonë se ia vlen që të vizitohet ky vend, ku ofrohen mundësi të shumta të relaksimit në natyrë.
Është një vend i mrekullueshëm, ka male të bukura dhe bjeshkë shumë të larta. Ky vend të qetëson dhe relakson si në dimër ashtu edhe në verë. Por stina e verës sjellë më shumë vizitorë. Pronarët e moteleve dhe të dyqaneve thonë se gjatë verës çdo ditë ka qindra vizitorë dhe ky vend ka një dinamikë shumë të madhe e rrjedhimisht edhe përfitime për këto biznese që veprojnë atje.
Që nga mbarimi i luftës në Prevallë janë ndërtuar shumë objekte dhe vila të ndryshme nga politikanë e biznesmenë, ndër to një pjesë e madhe janë pa leje dhe për këtë arsye ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pati marrë vendim për rrëzimin e disa objekteve, por pas mbarimit të mandatit të tij, ky proces ka ngecur. Janë mbi 100 vila të ndërtuara, por 90 prej tyre vlerësohet se u ngritën në mospërputhje me planin urbanistik të paraparë nga Komuna e Prizrenit si dhe me udhëzimin dhe ligjin që rregullon mbrojtjen e mjedisit. Prej objekteve të ndërtuara në të ashtuquajturin “fshatin turistik” Prevallë, vetëm gjashtë prej tyre i janë përmbajtur planit urbanistik, kurse të gjitha objektet e tjera kanë tejkaluar planet. Objektet janë ndërtuar dhe po vazhdojnë të ndërtohen pa respektimin e lejeve të ndërtimit, të dhëna nga Drejtoria për urbanizëm e planifikim hapësinor në Prizren kështu që në Prevallë është krijuar një kaos urbanistik dhe degradim i ambientit jetësor.
Rugova
Rugova e Pejës, ky vend nga më piktoreskët e Kosovës fillon po sa ta kalosh qytetin e Pejës. Me të filluar rruga për në Rugovë, të mahnitin bjeshkët e shumta me forma nga me të ndryshmet, që gjenden në të dy anët e rrugës, e që tregojnë se ky vend më tutje ka edhe më shumë për të treguar. Rruga në çdo kohë është e mbushur plot makina të vogla, që ndalen në restorantet e bukur bukura buzë rrugës, ndërsa disa të tjera hyjnë në thellësi nëpërmjet rrugicavehyjnë thellë në pyll.
Destinacioni më i rëndësishëm këtu është fshati Bogë, 29 kilometra larg nga qyteti i Pejës. Aty ka me dhjetëra shtëpiza dhe hotele që janë ndërtuar për të pritur vizitorët, por ka edhe shtëpi të fshatit që presin e përcjellin vizitorë. Ndërtimi i hovshëm i shtëpive në këtë fshat ka filluar që nga viti 2005. Mangësia e vetme është që nuk ka një plan të nderimit të shtëpive sa i përket aspektit të planifikimit, por që nga viti i kaluar, askush nuk mund të ndërtojë në këtë fshat si të dojë dhe ku të dojë, por paraprakisht duhet që të marrë leje dhe aprovimin e planit nga Komuna e Pejës. E ndërtimi i shumë shtëpive dhe shtimi i vizitorëve e ka rritur vlerën e tokës në këtë fshat malor.
Ndërsa fshati shtrihet në mes të një lugine dhe nga aty shihen katër anët e larta që të mahnitin me pamjen e tyre dhe menjëherë ta krijon dilemën e vështirë, cilën anë të vizitosh më parë. Në të gjitha anët ka tatëpjeta që kanë livadhe dhe pisha të mëdha që ia japin një bukuri të madhe këtij vendi.
Teleferiku për të ngjitur në kodër skiatorët, është edhe në shërbim të vizitorëve të tjerë, të cilët nuk dëshirojnë të ecin këmbë deri në atë lartësi. Por teleferiku është vetëm në një anë, ndërkohë që duhen edhe tre të tjerë për tri anët e tjera, pasi pas çdo kodre të lartë fshihen bukuri të rralla natyrore, të cilat zgjojnë kureshtjen e vizitorëve.
Der Spigel: Kosovë, Mali i Zi, Shqipëri – destinacionet malore të 2016-ës
SONY DSC
Revista më e madhe e Europës, Der Spigel, ka bërë një shkrim për resortet turistike gjatë 2016, duke përfshirë zonat turistike detare dhe malore. Për malet përmenden masivet e Alpeve Kosovë – Mali i Zi – Shqipëri, ku duhet të ngjiten e të vizitohen nga alpinistët në 2016. “Ballkani i egër, Kaukazi i egër”, shkruan në nëntitullin e saj, Der Spiegel. “Shoqata gjermane e alpinistëve DAV në bashkëpunim me GIZ dhe shoqatat regjionale në Kosovë, Malin e Zi dhe Shqipëri, kanë hapur në 2013 një marshutë të gjatë të quajtur “Peaks of the Balkan”. Në të përfshihen 10 etapa, ku nata kalohet në shtëpi karakteristike të fshatrave shqiptare. Kjo vizitë ekzotike, që para pak vitesh regjionin e gjente në luftëra civile, akoma është i panjohur për shumë turistë të huaj. Këtu jetojnë ujq, ari, dhelpra të shoqëruara me legjenda të popujve vendas,”. Vende tjera që preferohen sipas gjermanes, janë malet e Kaukazit, Sllovenisë si dhe parqet nacionale të SHBA-ve.
Ura e Shejtë
Ura e Shejtë (Ura Fshajt ose Ura e Fshejt) ndodhet në rrugën midis Gjakovës dhe Prizrenit. Për Urën e Shejtë ekziston e njëjta legjendë si për Kështjellën e Rozafës në Shokdër, ku një nuse e re u sakrifikua për të jetuar kjo urë. Kjo legjendë quhet ndryshe edhe Legjenda e Fjalës së Dhënë, legjenda e Besës. Ura e Shejtë është zonë e mbrojtur natyrore në kanionin e Drinit të Bardhë dhe është monument natyre me karakter hidro-gjeomorfologjik me sipërfaqe prej 199 ha. Ura e Shenjtë është e gjatë 70 m dhe thellësia prej harkut deri te shtrati i ujit është 30 m. Ura dhe më saktësisht rrethina e saj shërben edhe për pushime me kampingje. Në grykën e lumit para se të kalosh urën gjenden dy shkëmbinj të njohur nën emrin “Shkëmbi i Skënderbeut” dhe “Shkëmbi i Shqiponjës”. Ky emërtim vjen nga figura e Skënderbeut, vizatuar në shkëmb në vitin 1968 nga Mexhid Yvejsi me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergjit. Ndësra shkëmbi më i lartë i rrethinës, i cili e kalon edhe lartësinë e urës quhet “Shkëmbi i Talionit” i pagëzuar sipas nofkës së kërcyesit të parë nga harku i urës në lum, Ali Talioni.