
Ndarja nga jeta e një prej ikonave të komedisë shqiptare në moshën 78-vjeçare, Fadil Hasa ka qenë lajm i hidhur për adhuruesit e tij por më shumë për kolegët, për ata me të cilët punoi një jetë të tërë në Estradën e Durrësit.
Mëngjesin e sotëm një telefonatë nga vajza e Fadil Hasës në telefonin e Muharrem Hoxhës, shokut të ngushtë, njeriut më të afërt të aktorit dha lajmin e hidhur. Me lot në sy ajo tha se babai i saj nuk mundi t’ia dilte.

Më pas Muharrem Hoxha ka njoftuar të gjithë kolegët. Ish-trupa e estradës është mbledhur brenda pak minutash në hollin e teatrit të Durrësit. Vajzat iu kërkuan kolegëve të babait që të organizonin edhe ceremoninë mortore dhe është vendosur që nesër nga ora 10 deri në 11 të zhvillohen homazhe në teatrit “Aleksandër Moisiu” për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit të humorit shqiptar.
Muharrem Hoxha me lot në sy tha se Fadil Hasa ishte i pari që e mori për dore dhe e futi në teatër.
“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim. Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta. 30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh artisti i merituar Muharrem Hoxha.