Mungesa e Kurtit, VV ‘pezullon’ tubimet e mëdha

Në mungesë të liderit të partisë Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje nuk po mban tubime të mëdha nëpër qytete. Që kur Kurti udhëtoi për në Davos, VV në ‘terminin’ e tubimeve qendrore, organizon ‘tubime me gra’.
Pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, që kësaj here qëllon në fushatë zgjedhore, bën që partia të cilën ai udhëheq – Vetëvendosje, t’i pezullojë apo të mos zhvillojë fare tubime të mëdha, nëpër qytete të Kosovës.
Deri tani, Vetëvendosje njofton për ‘tubime me gra’ në qytete të ndryshme, si ai mbrëmë në Podujevë dhe një tjetër që VV e njofton për sot në Mitrovicë.
Në terminet e zakonshme të kësaj fushate, partitë politike po zhvillojnë ato që njihen si ‘tubime qendrore’, në termine nga ora 17:00 deri në orën 19:00. Vetëvendosje ka mbajtur tubime të tilla deri tani, në disa prej qyteteve si Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Shtime, etj.

Karakteristikë e këtyre tubimeve, është gjuha e ashpër e Albin Kurtit ndaj opozitës, bizneseve por edhe mediave.
Emrin e vetë në listën zgjedhore, vetë kryeministri Albin Kurti e kishte lartësuar në një prej deklaratave të tij në tetorin e vitit 2021.
Kur partia e tij, Vetëvendosje, nuk kishte dalë mirë me rezultat në zgjedhjet komunale, duke fituar vetëm katër komuna, Kurti ishte arsyetuar veç tjerash se ‘dallojnë listat zgjedhore parlamentare me ato komunale’ në këtë formë:
““Nuk mund të krahasohen listat nëpër komuna, me atë listë. Ajo listë është e pashebullt jo vetëm në Kosovën e pasluftës. Në atë listë ku Presidentja, kryeparlamentari dhe unë jemi në krye, nuk ka aso liste më edhe kushedi sa vjet e dekada. Prandaj, nuk mund ta krahasojmë atë listë me këto lista”, deklaronte Kurti në vitin 2021.