Mungesë e ekipeve dezinfektuese në Hasanbeg, Trajanovski dhe Neziri kërkojnë të shtohen forcat (VIDEO)

249
fresco

midle
hasanbeg

Familja Osmani nga Hasanbegu ka pesë ditë që ka pastruar shtëpinë nga uji, mandej balta dhe mbeturinat që sollën vërshimet e 06 gushtit. Tash e pesë ditë ata po presin për dezinfektim të shtëpisë dhe pronës së tyre. Meqë dezinfektimi nuk është kryer, familjarët nuk po ndihen të sigurt për të qëndruar në shtëpinë e tyre.

“Baltën prej shtëpisë e kemi larguar atë natë menjëherë, mirëpo pastrim final nuk ka. Shihet, ja edhe era vjen, dezinfektimi mungon me të vërtetë mirëpo mundësitë janë kaq tani, besoj se dikush do të ndërmerr diçka edhe për këtë“, shprehet Imer Osmani.

Se numri i ekipeve të dezinfektuesve është i vogël e thotë edhe i pari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Edhe pse pranoi se për këtë lëmi nuk është i informuar sa duhet, e dinë se ato ekipet që janë në terren, aq sa janë, po punojnë intenzivisht.

“Numri i ekipeve të dezinfektimit nuk është i mjaftueshëm dhe nuk mundet të bëhen të gjitha përnjëherë. Unë nuk e di si qëndron e gjithë situata me ekipet e dezinfektimit, marrë pjesë në seancat e qeverisë, atje është Bashkim Ahmeti dhe zëvendës kryeministri por e di se po punohet intenzivisht dhe ato shtëpi që janë pastruar krejtësisht atëherë mundet të bëhet dezinfektim”, thotë Trajanovski.

Se sa dezinfektues po qarkullojnë nëpër Hasanbeg nuk e dinte as koordinatori i shtabit të krizës në Hasanbeg, Safet Neziri. Por edhe Neziri, thotë se ato ekipet në terren po punojnë pa hile.

“Sipas nevojës rregullisht mban mbledhje shtabi i krizës, dhe sipas nevojës ne do të duhet të angazhojmë edhe ekipe shtesë nga qendra e shëndetit publik që të mund të dezinfektohet, tash për momentin është duke u zhvilluar me sukses. Nuk mund të flas për numër pasi që numri është variabël”, thotë Neziri.

Por gjatë qëndrimit të ekipit të TV21 në Hasanbeg, ekipet e dezinfektimit nuk arritëm t’i shohim askund.

Siç po e shihni, ora po shënon 14:00 ndërsa ne jemi në teren që nga mëngjesi i sotëm, por ende nuk kemi arritur që të shohim ndonjë ekip të dezinfektimit nëpër rrugët e Hasanbegut.

Banorët që vizituam nga mëngjesi, njoftojnë se deri në orën 17h askush nga ekipet për dezinfektim nuk i vizitoi.

Comments