Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka lënë anash gjithë inatet me dy partitë e tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate. Mustafa ka filluar takimet me këto dy parti, që dikur ishin një, për të arritur pajtimin për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Në një intervistë për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se përkundër faktit se PSD-ja e ka votuar buxhetin e Qeverisë dhe e ka ndihmuar Haradinajn të qëndrojë në pozitë, tani është koha të dëshmohet për rrëzimin e Qeverisë, përcjell gazeta Blic.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj ka bashkuar opozitën. Megjithatë tri partitë opozitare nuk mund t’i arrijnë numrat, pasi në Kuvendin e Kosovës LDK-ja i ka 25 deputetë, VV-ja 19 dhe PSD-ja 12, që gjithsej bëhen 56 vota, ndërsa për ta rrëzuar Qeverinë nevojiten 61.
Mustafën e kishte rrëzuar nga pushteti opozita bashkë me votat e Listës Serbe, vota këto të cilat ndihmuan edhe në krijimin e Qeverisë Haradinaj. Por, Mustafa thotë se nuk do t’i kërkojë votat e LS-së, pasi, sipas tij, kjo parti diktohet nga Serbia.
Mustafa ka thënë se partia e tij është përcaktuar të hyjë në zgjedhje pa koalicion parazgjedhor, por thekson se janë të hapur për koalicion me të gjitha partitë, përveç PDK-së, së cilës i kanë vendosur vijë të kuqe.
“Në pikëpamje kushtetuese deputetët e partive që përfaqësojnë komunitetet joshumicë i kanë vendet e tyre të garantuara në Kuvend. I kanë, po ashtu, vendet edhe në Qeveri. Prandaj atyre nuk mundet askush t’ua përjashtojë të drejtën ta formojnë, por edhe ta rrëzojnë Qeverinë. Me votat e Listës Serbe është themeluar Qeveria Haradinaj, me votat e tyre është rrëzuar qeveria ime, edhe pse edhe atëherë sikurse edhe tani, LS diktohej nga Serbia. Mocioni i mosbesimit në vitin 2017 është nënshkruar nga serbë, romë, egjiptas, nga VV-ja, AAK-ja, Nisma dhe njerëz të PDK-së. Ndërkaq, është organizuar nga PDK-ja. Ne nuk do ta ftojmë Listën Serbe ta nënshkruajë mocionin. Por, ne nuk kemi të drejtë t’ia ndalojmë askujt të votojë në Kuvend”, ka thënë Mustafa.
“Protestat dhe dhuna kanë qenë të orkestruara me kauza të rrejshme nga të njëjtit që sot janë në pushtet dhe ata afër tyre. I bënë të gjitha të zezat me gaz lotsjellës, vezë, gurë, bomba molotovi deri te granatat për demarkacionin. Pastaj kur erdhën në pushtet e votuan të njëjtin dokument. Për Marrëveshjen për kriteret e Asociacionit, e kallën Kosovë, kurse në marrëveshje e kishin të shkruar se Asociacioni nuk themelohet pa vendim të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht ushtruan dhunë për ta rrëzuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet. Tani ata nuk zhvillojnë dhunë ndaj vetvetes. Kurse LDK nuk e do pushtetin me dhunë”, ka thënë ndër të tjera ai.