Mustafa shprehu mirënjohjen e Kosovës për luftëtarin e lirisë, Jon Harrison

151

Moebel THEMA

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur në takim veteranin luftëtar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Gjatë takimit miqësor, Mustafa dhe Harrison biseduan për progresin e arritur në Kosovë viteve të fundit, zhvillimin e shtetit, progresin në ekonomi, hapjen e perspektivës për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë e Kosovës.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin që Harrison ka dhënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke qenë një luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj i janë përjetë mirënjohës dhe respektojnë luftën e sakrificën e çdo luftëtari, kontributin e shteteve mike perëndimore e më gjerë si dhe angazhimin vullnetar të luftëtarëve siç është Jon Harrison, i cili luftoi me tërë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës”, tha kryeministri, duke e vlerësuar vendimin për emërimin e nesërm të një rruge në Prizren, me emrin e luftëtarit të dalluar, Jon Harrison.

Luftëtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, gjatë takimit, shprehu lidhjen e posaçme emocionale dhe reale që ka me popullin dhe me shtetin e Kosovës.

Harrison, sipas njoftimit për media të ZKM-së, po ashtu, e përgëzoi kryeministrin për lidershipin dhe për progresin që po arrihet në Kosovë në këtë fazë.

Luftëtari Jon Harrison, shprehu përkushtimin e tij për të kontribuar për ecjen e Kosovës përpara.

Comments