Muzaka: Dimë t’i luajmë ndeshjet e mëdha, Partizani do jetë rivali ynë

Intervista e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, e lojtarit më të mirë të takimit Partizani-Skënderbeu, mesfushorit të korçarëve, Gjergji Muzaka.
U deshët ju për të zhbllokuar rezultatin. Çfarë ndjesie ju jep kur shënoni me prekjen e parë?
Siç e thatë dhe ju, sapo u futa, shënova dhe ishte një ndjesi shumë e mirë. Ndeshja ishte e fortë, e luftuar, por ne dimë si të luajmë deri në fund në ndeshjet e mëdha. Kjo bëri diferencën. Partizani pati rastet e veta, por nuk e ulëm ritmin deri në fund dhe fituam.
Shehi thotë që duhet të jemi me këmbë në tokë, besoni se do arrini diçka të madhe?
Skënderbeu i ka arritur të gjithë gjërat e mëdha këto vite. Nuk do ishte normale nëse nuk do ishim në vendin e parë. I dimë detyrat dhe objektivat. Në grup kemi të rinj dhe mundohemi të jemi me këmbë në tokë.
I keni shkaktuar “dhimbje” Tiranës dhe Partizanit. Pse i ndëshkon ato ekipe që ju kanë dashur shumë?
Kështu funksionon gjithë botën futbolli. Lojtari është profesionist dhe jep maksimumin aty ku luan. Nuk është vetëm Tirana dhe Partizani që i kam shënuar, mos gaboj i kam shënuar çdo ekipi në Shqipëri. Nuk është ndonjë emocion i veçantë dhe nuk e mora për keq këtë pyetje, pasi edhe kritikat i shohim për t’u përmirësuar. Thjesht, pas ndeshjes jemi pak të lodhur.
Kush ekip mund t’ju rivalizojë?
Partizani ka treguar vazhdimësi gjatë fazës së parë, dhe është një ekip i denjë për të rivalizuar për kampion. Edhe Kukësi ka ekip simpatik, por nuk janë këto ekipet që kemi lënë pikë. Kemi lënë pikë me ekipe më të dobëta në letër, por Partizani do thosha që ka bërë një pjesë të parë shumë të mirë të sezonit.