Nacionalizmi i VMRO-DPMNE-së, MPJ e Kosovës kërkon sqarim nga Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë

496

lajme-2013-maqedoni_kosove_601274776

Pavarësisht raporteve politike jo të mira, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka dalë në mbrojtje ish-liderit të Vetëvendosjes, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës Albin Kurtit. Ministria që drejtohet nga Hoxhaj, ka kërkuar sqarim nga Ambasadori maqedonas në Prishtinë për atë që e ka cilësuar si gjuhë tendencioze në fushatën parazgjedhore në raport me Kosovën dhe personalitete të saj, transmeton gazeta online Insajderi.

Reagimi i MPJ-së erdhi pas deklaratave nacionaliste të deputetëve të VMRO-DPMNE në Parlamentin e Maqedonisë dhe mediave maqedonase ku janë apostrofuar emrat e Gjeneralit Kadri Kastrati dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës sot ka kërkuar sqarim nga Ambasadori i Maqedonisë në Prishtinë për zhvillimet e dy ditëve të fundit në shtetin fqinj, ku për qëllime ditore të fushatës parazgjedhore atje po apostrofohen personalitete nga Kosova dhe emri i shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.

Në kërkimin e sqarimit për Ambasadorin nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të MPJ-së, Albert Prenkaj është shtruar nevoja që të ketë zyrtarisht një përgjigje nga shteti i Maqedonisë përkitazi me një gjuhë aspak demokratike që nuk i shërben ruajtjes dhe kultivimit të marrëdhënieve shumë të mira miqësore mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“MPJ kërkon nga partitë politike maqedonase, dhe politikanët në pushtet ta shmangin Kosovën dhe personalitetet e saj nga fjalori i përditshëm i fushatës parazgjedhore dhe që të ruajnë edhe më tej frymën e mirë të bashkëpunimit si dy shtete fqinje”, thuhet në njoftim.

Comments