Napoli-Roma ndeshja “big” e Serisë A, Premier League kulmon me United-Everton

Napoli – Roma, e programuar për t’u zhvilluar ën orën 20:30 në “San Paolo” është përplasja “big” e javës së 10-të të Serisë A. Skuadra e Carlo Ancelotti, forcë e dytë në kampionat, pas Juventusit, synon tri pikët e radhës në shtëpi për të mos lejuar shkëputjen e bardhezinjve, që një ditë më parë triumfuan me përmbysje me Juventusit. “San Paolo” ka rezultuar një kështjellë e pamposhtur në këtë fillim sezoni, ku napolitanët kanë koleksionuar 4 fitore në Serinë A e për momentin përbëjnë ekipin e vetëm me pikë të plota në sfidat shtëpiake.
Nga ana tjetër Roma në ndeshjet jashtë ka pësuar dy humbje dhe ka marrë po kaq fitore. Interesant fakti që në katër përballjet e fundit mes tyre, Roma e Napoli kanë fituar gjithmonë në transfertë dhe kanë humbur në shtëpi. Nëse do t’i besojmë kësaj tendence, atëherë verdhekuqtë kanë arsye për të menduar që edhe në këtë ndeshje të radhës do të dalin triumfues.
Në orën 18:00, Milani pret në “San Siro” Fiorentinën, me dëshirën e madhe për t’iu kthyer fitores pas dy humbjeve radhazi, në derbi me Interin dhe në Europa League ndaj Betisit të Sevillas. Dy rezultate që kanë vënë në dyshim serioz pozicionin e trajnerit Gattuso, që me një tjetër rezultat të papranueshëm për ambiciet e kuqezinjve me siguri do të detyrohet të hapë krahun.
Transmetimet nga Seria A, në fakt, do të nisin që në orën 15:00 me Genoa-Udinese.
Në Premier League, sfida që do të transmetohet nga Supersport është e ajo e orës 17:00, mes Manchester United dhe Evertonit, në “Old Trafford”. Jose Mourinho që që nga fillimi i sezonit që ankohet për organikën që ka në dispozicion, aq sa në takimin e fundit të luajtur në shtëpi ndaj Juventusit në Champions nuk kreu asnjë zëvendësim. Kundër Evertonit duhet të bëjë edhe pa disa lojtarë të rëndësishëm, siç janë Alexis Sanchez dhe Fellaini, që nuk do të luajë për arsye dëmtimi. Gjithashtu janë në dyshim Valencia, Lingard dhe McTominay.
United i ka fituar të dyja përballjet e sezonit të kaluar, 4-0 dhe 0-2, por gjendja e “Djajve të Kuq” nuk është premtuese, ndaj Evertoni udhëton drejt Manchesterit me besimin se mund të bëjë surprizën.
Emocione të mëdha vijnë edhe nga klasikja e futbollit francez, PSG – Olimpique Marseille, që do të zhvillohet në orën 21:00. Sigurisht që diferencat mes dy ekipeve mbeten të mëdha, aq sa në 10 javët e para ka shkuar 11 pikë, megjithatë do të jetë një përballje plot antagonizëm, mes dy ekipeve rivale të përjetshme.
Në kanalin Eurosport 2 në orën e 15:30 do të transmetohet Leipzig – Schalke 04, ndërsa në 18:00 Werder Leverkusen.