NATO po e konsideron rrëzimin e raketave ruse që i afrohen shumë kufirit me Poloninë, thotë zëvendësministri polak
NATO është duke konsideruar të rrëzojë raketat ruse që janë shumë afër kufijve të saj, tha zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Andrzej Szejna, për median polake RMF24.
Szejna tha se “(Rusia) e dinte se nëse raketa lëvizte më tej në Poloni, ajo do të rrëzohej. Do të kishte një kundërsulm”.
“Koncepte të ndryshme janë duke u analizuar brenda NATO-s, duke përfshirë që raketa të tilla të rrëzohen kur ato janë shumë afër kufirit të NATO-s”, shtoi ai, duke vënë në dukje se kjo do të kishte nevojë për miratimin e Ukrainës nëse do të ndodhte, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Deklaratat vijnë pasi forcat e armatosura të Polonisë thanë se Rusia shkeli hapësirën ajrore të Polonisë në orën 4:23 të mëngjesit, me orë lokale, të dielën në mëngjes me një raketë të lëshuar në objektiva në Ukrainën perëndimore. Polonia është anëtare e NATO-s.
Ambasadori rus në Poloni, Sergei Andreyev, u thirr në Ministrinë e Jashtme në Varshavë në lidhje me incidentin, por nuk u paraqit dje. Ai i tha agjencisë shtetërore RIA Novosti se kjo ishte për shkak se pala polake nuk dha prova për ndonjë shkelje të hapësirës ajrore.
Ka pasë edhe shkelje të tjera të raportuara të territorit polak që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës dy vjet më parë.
Sipas shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura polake, një raketë ruse ka hyrë në hapësirën ajrore të anëtares së NATO-s në fund të dhjetorit.
Në prill 2023, një objekt ushtarak u gjet në një pyll afër fshatit Zamość pranë qytetit verior të Bydgoszcz. Më vonë u raportua se ishte një raketë ruse.
Në nëntor 2022, një raketë ukrainase ra në fshatin polak të Przewodóë në jug, duke vrarë dy persona.

