Edhe pas ndryshimit të pushtetit qendror, Maqedonisë i duhet akoma shumë punë për të ndryshuar praktikën e njëjtësimit të partisë me shtetin. Ishte ky epilogu i debatit të organizuar nga Asociacioni qytetar “MOST” ku sipas pjesëmarrësve, për këtë nuk mjafton vetëm zotimi deklarativ i Qeverisë aktuale por nevojitet zbatimi i masave konkrete. Ekspertë e pranishëm në debat, vlerësuan se zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë pikërisht teksti i parë që pushteti të dëshmojë angazhimin e tij për institucione të lira, pa presione dhe me sanksione për keqpërdoruesit.
Sa i takon ndarjes së shtetit nga partitë politike, Qeveria e re ka mjaftë shembuj nga e kaluara për mos-respektim të këtij principi dhe ajo që duam të shohim nga sot e tutje është që ky princip mund të respektohet dhe që pushteti më ndryshe mund të praktikohet – tha Darko Aleksov, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit qytetar “MOST” .
Sundimi i ligjit ka qenë problemi më i madh i joni në të kaluarën dhe mbetet akoma sepse që të keni sundim të ligjit na duhet gjyqësor i pavarur dhe institucione të pavarura që do ta zbatojnë ligjin – u shpreh Besa Arifi, juriste.
Instrumentalistët e gjithë atij keqpërdorimi të procesit zgjedhor janë akoma të padënuar. Kështu që nëse Qeveria arrinë që këtë ndjenjë të padënueshmërisë ta largojë gjatë këtij cikli zgjedhor mendoj se ky do të jetë nxitje shtesë edhe për administratën por edhe për qytetarët që këto gjëra t’i paraqesin dhe t’i pamundësojnë në të ardhmen – tha Albert Musliu, analist, njofton Alsat-M.
Kryeministri Zoran Zaev u zotua se do të ketë zero tolerancë për keqpërdorimet zgjedhore nga cilido aktorë.
Në lidhje me zgjedhjet, nuk do të lejohet frikësimi dhe presioni mbi administratën. Ne inkurajojmë që të paraqiten rastet eventuale të presionit deri te organet kompetente, pas çka do të pësojë suspendim nëse vërtetohet keqpërdorimi. Qeveria miratoi udhëzues për të ndaluar shfrytëzimin e resurseve shtetërore nga ana e pjesëmarrësve dhe kandidatëve, gjatë procesit zgjedhor – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar tha se zgjedhjet e lira dhe eliminimi i epitetit “shtet i kapur” do të nënkuptonte një hap drejt integrimit në BE. Ne vetëm mund të inkurajojmë liderët politik, partitë e tyre si aktorët relevant të shfrytëzojnë procesin zgjedhor për të riafirmuar dhe dëshmuar angazhimin e tyre për vlerat demokratike dhe sundimin e së drejtës. Kështu zgjedhjet mund të përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë e vendit por gjithashtu një hap përpara në rrugën drejt BE-së – theksoi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.
Në raportet e fundit të Komisionit Evropian, OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venedikut, Maqedonia është konsideruar si shtet “i kapur” nga partia, janë evidentuar keqpërdorime zgjedhore dhe si dhe është theksuar nevoja për ndryshime në sistemin gjyqësor.