Ndërprerje teknike në Karposh, votimi vazhdon pa pajisje biometrike

71
fresco

Në vendvotimin numër 2607 në komunën e Karposhit është ndërprerë përdorimi i aparatit biometrik për identifikimin e votuesve, për shkak të një problemi teknik të lidhur me kartelën SIM të pajisjes.

Për pasojë, votimi po vazhdon përmes metodës tradicionale – me llambë UV dhe sprej, ashtu siç është vepruar në zgjedhjet e kaluara në raste të ngjashme.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) konfirmojnë se situata nuk përbën ndonjë rrezik për procesin zgjedhor dhe se procedurat alternative janë paraparë pikërisht për raste të tilla.

“Në zgjedhjet e fundit ka pasur gjashtë raste kur për arsye të ndryshme teknike është ndërprerë përdorimi i pajisjeve biometrike, dhe votimi ka vijuar normalisht me metodën tradicionale. Rëndësi ka që procesi i identifikimit dhe votimit të jetë i rregullt dhe transparent,” thanë përfaqësues të KSHZ-së.

Votuesit në këtë vendvotim kanë vazhduar të ushtrojnë të drejtën e tyre pa vonesa të mëdha, ndërsa komisionerët në terren janë udhëzuar të ndjekin procedurat standarde për raste të tilla.

Ky incident nuk është shënuar si pengesë serioze në rrjedhën e zgjedhjeve, por rikthen vëmendjen te nevoja për mirëmbajtje dhe testim më rigoroz të pajisjeve teknologjike përpara ditës së votimit.

Comments