Ndërroi jetë gazetari tetovar Faik Mustafa

248

Fotografia e Artan Arsllani

Sot, në Spitalin e Prishtinës, në moshën 71-vjeçare ndërroi jetë gazetari Faik Mustafa nga Tetova. Me këtë rast, do të mbahet nesër (e martë), në orën 13:00, një Mbledhje komemorative në Qendrën Kulturore në Tetovë. Varrimi i të ndjerit, Faik Mustafa, do të bëhet të martën, pas namazit të Ikindisë, në varrezat e qytetit në Tetovë.
Gazetari i ndjerë, Faik Mustafa, u lind më 19 maj 1945 në Tetovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet në Fakultetin Filologjik- Dega e Albanologjisë, në fillim në Beograd, kurse më vonë i kreu në Prishtinë. Kjo zvarritje ka ndodhur, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, për çka detyrohet që një vit të studiojë e një vit të punojë. Filloi punën si mësues në vitin shkollor 1964-1965 në fshatin Grupçin të Tetovës, për të vazhduar një vit më vonë /1966-1967/ në fshatin Shipkovicë dhe në fshatin Sellcë /1968-1969/. Për veprimtarinë e tij të vazhdueshme atdhetare e patriotike, për çështjen kombëtare shqiptare që nga mosha rinore, pas tre muajsh, si organizator i Demonstratave të Tetovës, më 22-23 dhjetor të vitit 1968 dhe si ideator i tyre, bashkë me një grup patriotësh tetovarë, në krye me Mehmetriza Gegën, burgoset dhe dënohet me 5 vjet e gjysmë heqje lirie.
Pas lirimit, vazhdoi me studimet në Prishtinë, ku punoi si gazetar në gazetën studentore “Bota e Re”, prej nga u largua nga puna nga regjimi komunist, për shkak të dënimit të mëhershëm me burg, për aktivitetin e tij politik kundër këtij regjimi. Më vonë punësohet në gazetën e përditshme “Rilindja”, prej nga largohet për një kohë të shkurtër. Gjatë viteve 1994-1998 punoi si korrespondent i “Zërit të Amerikës”. Pastaj, emërohet nga PDSH-ja kryeredaktor i të përditshmes “Flaka” të Shkupit, ndërsa u pensionua si drejtor i Qendrës së Kulturës në Tetovë.
Gjatë veprimtarisë së tij gazetareske, ka botuar mbi dhjetë libra me epigrame dhe tregime të shkurtra, ndër to edhe “Vargjet e serta”, “100 vite pa Shqipërinë”, “Burrat e dheut”, “Uria e lakmisë” dhe së fundi, më 2016, përmbledhjen “Rrufetë e brengës”./Faktiditor.ch/.

Fotografia e Artan Arsllani
Comments