Ndryshe me Skender Raufin

516
fresco

Skender Raufi (1952) që nga viti 1972 ka punuar në Radiotelevizionin e Maqedonisë në Shkup. Është diplomuar në Fakultetin Juridik të Shkupit. Gjatë këtyre motmoteve ka punuar, pothuajse të gjitha zhanret e gazetarisë televizive. Deri sot, ka botuar 5 vepra publicistike: “Takim me krijuesin-1” (2002); “Takim me krijuesin -2” (2006); “Vjelja e lulediellit -1” (2008) ; “Vjelja e lulediellit-2” (2012); dhe “Vjelja e lulediellit-3” (2014). Ka shkruar edhe në gazeta të ndryshme shqipe (kryesisht në të përditshmen “Fakti”) duke parapëlqyer shprehjen publicistike në këto medie. Është laureat i çmimit më të lartë në Maqedoni për publicistikë “Mito Haxhivasilev-Jasmin”. Është prind i tre vajzave (Marjeta, Hana dhe Nita). Në prill të këtij viti pensionohet pas 44 vjet pune kryesisht në gazetari televizive. Jeton në Shkup.

Intervistoi e përditshmja gazetë KOHA

KOHA: Fëmijëria është një pjesë e jetës, të cilën nuk mund ta fshehim. Ajo është në çdo hap të jetës. Si e keni përjetuar fëmijërinë, çfarë ngjarje mund të përshkruani?

RAUFI: Marrë “grosso modo” (apo në vija ravijëzuese), unë kam pasur një fëmijëri NDRYSHE nga shumë fëmijë. Shpesh të kursyer nga gëzimet dhe të përlotë me episode të papëlqyera. Flas për një periudhë që standardizohet si “puro fëmijëri” e që zgjatë nga mosha 5-12 vjeçare. Këtë periudhë jete do e përplotësoj dhe më poshtë në këtë tekst-rrëfim. Linda në fshatin Bukoviq të Shkupit, në një familje intelektualësh. Në moshën 5-vjeçare, familja ime më e ngushtë shpërngulet në Shkup. Dy vitet e para, meqë nuk e njihja gjuhën e mjedisit , kisha problemin e komunikimit me mocanikët e mi të një mëhalle të Çarshisë së Vjetër. Aty flitej maqedonisht, serbisht dhe turqisht. Shtrojera ime e vetme , ku mundja të ndjehem i lirë dhe i “ambientuar” – ishte foshnjorja, paralelja në gjuhën shqipe. E kujtoj edukatoren zonjën Margarita, e cila, duke qenë e afërt me nënën time, më bënte ca lehtësime, thjesht më jepte ndonjë privilegj, që ma mbushullonin ditën shend e verë, që më pas në lagjen time, ku kishte vetëm një familje shqiptare, të ndjehem, për goxha kohë i izoluar, siç u ndodhë të gjithë “ardhacakëve” nga një ambient fshati në qytet. Nënkuptohet se, tentimi im, që të komunikoj në gjuhë “të huaj” shtonte gazin e fëmijëve të tjerë, por kishte dhe ca pak më të rritur që më mbanin krah dhe në njëfarë mënyre, e kuptonin gjendjen time. Ishin këta kryesisht fëmijë oficerësh, jo gjithaq të prirë për shakara dhe mbase të edukuar në frymën e “vëllazërim-bashkimin” që protezhohej prore si një lloj slogani në ish-Jugosllavi… Dhe, dalëngadalë, si ambientohesha në këtë mjedis, djalli nuk ndenji qetë, dhe një ditë të hershme mëngjesi, një grup policësh e morën im atë me një veturë, me “grila” prapa dhe e shpurnë në paraburgim, aty, lartë Çarshisë, në kazimatin e Kalasë së Shkupit, për të mos e parë për 5 vitet e ardhshme… Sado që familjarët e minimizonin këtë të ngjarë para neve, fëmijëve, shumë shpejt e kuptuam se po ndodhë një gjëmë… dhe kësisoj deri në vitin 1963, dy javë para tërmetit katastrofal që e goditi Shkupin. Mbetëm pa kulm mbi kokë, por, nga ana tjetër, pas kësaj hataje ishim “e tërë familja bashkë”.

KOHA: Ka shumë episode, po ju vetë mund të dëshmoni se në çfarë gjendje ishin mësonjtoret e mësimit të parë fillor në moshën tuaj shtatë vjeçare? 

RAUFI: Unë kisha privilegjin që të kryej shkollën fillore në “Lirija” të Shkupit, që atëherë konsiderohej një shkollë me traditë dhe staf të shquar mësuesish, arsimtarësh, në fjalë pedagogësh të zot. Aq më tepër, unë isha në klasën e zonjës Qefsere Shehu (ndjesë pastë), që ishte nder dhe privilegj, pa dashur këtu të pakësoj vlerën e tërë kolektivit të mësuesve, të cilët rrezatonin një përkujdesje për nxënësit e vet dhe gjithë nxënësve tjerë të shkollës. Shkolla e vjetër e “Lirisë” ishte godinë që i shëmbëllente një kazerme, apo internati, për nga arkitektura, por marrë në përgjithësi, ajo i plotësonte kushtet për një mësim cilësor. Për fat të keq, tërmeti i vitit 1963 e nxori jashtë përdorimit këtë godinë, në kohën që unë e kisha përfunduar shkollimin katërvjeçar. Më vonë, në fillim vitin e ri shkollor, për 3-4 muaj mësonim në tenda të ushtrisë, derisa nuk u ngrit një barakë, objekt ky më i përshtatshëm për të vazhduar mësimet nga klasa e pestë deri në të tetën.

KOHA: Për nxënësit shqiptarë nuk kishte shkollim të mesëm në vitet e mëhershme në këto anë. Deri vonë, fëmijët shqiptarë ishin të detyruar të mësonin në këtë gjuhë?

RAUFI: Për hir të së vërtetës, unë e mbërriva hapjen e gjimnazit në gjuhën shqipe, këtu në Shkup. Por, bëhet fjalë për fillet e “Zef Lush-Markut”, atëbotë ende të pa konsoliduar si duhet, dhe prindërit e mi, tok me konsultime me njerëz të arsimit, më sugjeruan, meqë maqedonishten e njihja tanimë mirë, të vazhdoj shkollimin në gjimnazin e atëhershëm prestigjioz “Cvetan Dimov”, ku, para meje, mësimet i ndiqte, ime motër Rrushe, si nxënëse më e dalluar e gjeneratës. Ndërkaq, historia e gjimnazit të parë shqip në Maqedoni është një episod nga më të pështirat që bënte politika e atëhershme. Por, kjo histori, gjithandej e njohur, u bie në hise të shkruhet nga protagonistët, dashamirë të arsimit shqip në Maqedoni, një numër i të cilëve edhe sot mund të flasin me kompetencë për lemeritë, sakrificat, burgosjet, përndjekjet dhe përvuajtjet e tyre që të hapej gjimnazi i parë në gjuhën shqipe.

KOHA: Çarshia e Vjetër është pjesa më e moçme e qytetit të Shkupit, e cila është pjesë e pandashme nga Kalaja e Shkupit. Si ishte jeta e juaj në një nga lagjet e saj ku ju keni kaluar një kohë?

RAUFI: Nuk e kalova një kohë, tërë jeta ime është “një kohë e zgjatur” që lidhet me magjinë që ka Çarshia e Vjetër tok me Kalanë që ngre kokë mbi Çarshinë. Aty, sa jeta hibernojnë kujtesat e dhimbjes dhe gëzimit. Në moshë të njomë, unë e kalova fëmijërinë, pa babanë tim, që vuajti burg 5-vjeçar për arsye politike . Megjjithëkëtë, remineshçencat e një kohe të shkuar, kryesisht asaj fëmijërore dhe rinore, me një sharm, që sot, për fat të keq, edhe përkundër mundësive më të favorshme që kanë gjeneratat e tashme, nuk frymon me atë nuhatje, atë aromë të shoqërimit, solidarësisë, që mund t’a ofrojë mëhalla, kjo “mikro shoqëri”, që sot është vetëm kujtesë, e substituuar me rrokaqiej të tjetërsimit, apo si e do të thuhet me gjuhën e sociologjisë dhe sociologëve – alienimit. Shpesh më merr malli për kalldërmatë e Çarshisë, që sot janë të pakta, i shkelë kahera, ama, nuk e gjej Çarshinë e fëmijërisë dhe rinisë sime.Sikur është fashitur ndokund, ose, ndoshta tek unë është ndërruar dioptria e vëzhgimit. Eh Kalaja, ajo PARAJSË e virgjër, e përshtatur, veç tjerash, për të rrëfyer përrallëza nga lashtësia. Çdo të shtune (së paku), me gocat e mija Hana e Nita, që ishin çamarroke kurioze, e sorrolatnim rrotën e përrallëzave nga thesari ynë i begatë, mitologjinë , e cila, për mendimin tim, do u ngulitte një pëllëmbë kulture, të përplot me metafora, që nesër, kur të rriten, të dinë veç për Zanat, për të Bukurën e Dheut, edhe për Euridikën, Prokrustin, Mollën e Sherrit, Kutinë e Pandorës, dhe një sërë “meselesh” të tjera, që, sa është jeta, do duhej të mbeten, jo vetëm përrallëza mitike , por para kësaj edhe metafora të mbarëbotshme. Por, kohë para, pas goxha viteve pas, kur e vizitova “Kalanë time”, i rëndë që të përlotem, thash me vetvete: “O Zot, me çfarë njerëzish jetënojmë që dhe këtë vend të historirave të nduarshme, e kanë bërë një gogol, makth, një ambient të pështirë, që nuk durohet”.

KOHA: Skender, kush ju nxiti të studioni për jurist, familjarët apo padrejtësitë e jetës që ju dhe shumë bashkëkombës të juaj i ndjetë, veçanërisht në ish Jugosllavinë?

RAUFI: Në mjedisin tonë, këtu dhe në shtrirje më të gjerë Ballkanike, as lakimet e kohës sikur nuk kanë ndikuar që, në raste më të shpeshta, fëmijët të trashëgojnë profesionin e prindit, shpesh atë të babait. Ky, le t’a themi “sindrom” i të qenit brenda kornizave të një tradite, ishte dhe fatumi im. Pra, meqë im at ishte avokat, dukej (dhe duhej) “natyrshëm” që dhe unë t’a trashëgoj këtë profesion. Kështu dhe ngjau. Regjistrova Fakultetin e Drejtësisë në Shkup. Mirëpo, ca grishje që papandehur t’i bën jeta, në ndonjë moment të caktuar, jo rrallë determinojnë kahje krejtësisht të ndryshme. Mora pjesë, aty nga pranvera e vitit 1981 në një konkurs të Televizionit të Shkupit (sot RTM), dhe ia dola që të mbetem bashkëpunëtor i redaksisë shqipe, që atëbotë e drejtonte shkrimtari dhe akademiku ynë Luan Starova. Pas një kohe jo më të gjatë se një vit, Luani vajti të magjistrojë në Paris, dhe atë e zëvendësoi (tashmë i ndjeri) Lutfi Rusi. Ai, një pasdite të vitit ‘82, më mori në telefon dhe më “urdhëroi” që t’i lexoj lajmet në emisionin e atëhershëm “Kronika Televizive”. E mora këtë “urdhër” dhe, pa marrë parasysh që germat e teksteve që lexoja, sikur kërcenin veç e veç dhe vështirë i bëja tufë, kritikat ishin të pëlqyera. Isha i moshës 21 vjeçe, dhe për rrethanat e atëbotshme, edhe spikeri më i ri në rrjetin e RTJ (Radio Televizioni i Jugosllavisë). Këtë “detyrë” e mora të përkohshme, pa iu shkëputë idesë që të përmbyllë qarkun profesional si avokat. Paralelisht me studimet dhe moderimin e lajmeve, herë-herë isha i angazhuar edhe me punë gazetarie… dhe, kësisoj, jeta e deshi të merrem me gazetari televizive, në të gjitha zhanret e saja, deri sa, muaj para, në prill të këtij viti nuk u pensionova. Që të mos i dal larg pyetjes që parashtruat, e do thënë, se në mbarë trojet e ish-Jugosllavisë, ku rronin shqiptarët, bëheshin padrejti, procese të montuara, maltretime pa arsye, burgosje pa dëshmi… Meqë kjo temë është e një shtrirjeje më të gjerë, këtë pjesë po e përmbyllë me dy fakte të trishta që i përjetuam unë dhe familja ime dhe që janë në po këtë sens teme: Baba im u burgos në një proces të montuar politik për 11 vjet burg (i vuajti 5 vjet), në një kohë që unë isha fëmijë (7-12 vjet), që është moshë e brishtë dhe më ra në “hise” që si djali më i madh, të merrem dhe me shumë obligime që nuk përkonin me këtë moshë, aq më tepër se ne ishim pesë fëmijë (tri motra dhe një vëlla), me një rrogë të nënës sime, që atëherë ishte mësuese në shkollën fillore “Lirija” të Shkupit. Momenti i dytë, krejt personal, është “embargoja” që në mënyrë perfide e bënin ca qarqe të sistemit të atëhershëm, që të marr vendim pune në TV-Shkupin e atëhershëm. E dinin se jam i biri i një të burgosuri politik, me karakteristikë “i pa përmirësueshëm”, i një prindi që zhurmshëm kritikonte sistemin e atëhershëm. Në fjalë pra, unë nuk isha “moralo-politikisht” person i papërshtashëm”. Por, falë Lutfi Rusit dhe Luan Starovës, që mbase dhanë “garanci”(?!), dy vjet pas në vitin 1973 mora vendim për punësim të përhershëm. Fat të ngjashëm patën edhe xhaxhatë e mi, me të pësuar edhe burgje dhe shqetësime tjera, po dhe mbesat dhe pjesa e familjes nga nëna që ishin nga Korça, me pamundësinë që të kryenin shkollimet e larta.

midle

KOHA: Babai duhet të shpenzojë kohë dhe energji me qëllim që fëmijën ta formojë, që t`i përshtatet misionit të njeriut mbi tokë. Cili është babai i juaj, ai avokati që luftonte padrejtësitë tona? 

RAUFI: Sejdi Rauf Bajrami (ndjesë pastë), më 17 maj para 50 vjetësh, hapi ndër të shqiptarët e parët të Shkupit zyrën e avokatit. Para se të diplomonte Fakultetin Juridik, këtu në Shkup, ai diplomoi dhe në Fakultetin e Filozofisë në Padovë të Italisë. Janë këto vitet 1939-43 të shekullit të shkuar, kur, tok me një grupë shqiptarësh, midis të cilëve dhe Esat Mekuli, Idriz Ajeti, Murteza Peza dhe të tjerë (gjithsej 29), vanë në Itali që të studionin. Im atë, deshe të studiojë medicinën, por për shkaqe që mund të merren me mend, Ministria e atëhershme e Shqipërisë, e administruar (okupuar) nga Italia, vendosi që këta të rinj t’i “stërviste” për të agjituar më vonë ideologjinë e Duçes. Pasi e mori diplomën italiane, dhe shumë peripecive që pat me shenjën e “fashos” në diplomë, iu dash që të mbarojë edhe Fakultetin e Drejtësisë. Pasi, koha pak “liroi” shtrëngimet dhe “përndjekjen e lugetërve”, ai punoi në Gjykatën e Shkupit, si bashkëpunëtorë-stazhist. Kjo nuk zgjati gjithaq, dhe në kohë të shpejtë, recidivistët , pinjollët e UDB-ës, Departamenti i RSM, siç e përmenda më sipër, e burgosë për arsye politike. Pas vuajtjes së burgut, si avokat, ai për tërë jetën do i vuajë fatet e shumë shqiptarëve të cilëve u kurdiseshin procese të montuara. Isha fare i ri, kur na rrëfente se si e kishin torturuar p.sh. Rafiun e Tetovës, që me të dëgjuar, e gjithë familja ime ndante një dhimbje shtojcë, nga të gjitha të ngjashmet. Ky mund të ishte rasti më prekës, ose, baras me përvuajtjet që i pat edhe shkrimtari dhe miku i familjes sonë (sot i ndjeri), Mehmedali Hoxha. Madje, në mbrojtjen e Mehmedalisë, u kyçën edhe dy avokatë jashtë Maqedonisë, sepse kishte zëra që thoshin se Mehmedaliun do e ekzekutonin… Klientët e besonin im atë, sepse, nuk e njihte hileçarinë dhe frikën, dhe mbi të gjitha – çdo lëndë e përgatiste për shumë kohë. Në këtë frymë, pak a shumë u rritëm të gjithë fëmijët, e, kështu e shoh dhe tim vëlla, Naser Raufi, që e vazhdoi traditën e avokaturës, me angazhim, sinqeritet dhe mbi të gjitha – me guxim kur është i bindur në pafajësinë e klientëve të vet.

KOHA: Skender keni punuar gjatë gjithë jetës në RTVM, televizion ky që u hapi dyert shumë të rinjve. Cilat ishin fillimet e juaja, ato të vështira?

RAUFI: Nuk mbaj mend të kem pasur momente gjithaq të vështira. Ndoshta se unë, nuk hyra në RTV e Shkupit të atëhershëm me fanfare. Fillimisht, puna ime atje ishte brenda moshës dhe mundësive të mia objektive. Ishte një redaksi kjo, që edhepse e paktë në numër të punëtorëve dhe vëllimin programor, ngërthente në vete të thuash një “inteligjencë sociale”, pra, një koordinim dhe bashkëpunim të ndërsjellë dhe kolegial, një sinergji pune, respekt dhe mirëkuptim, që sot, mjerisht nuk e hasim, jo vetëm ndër media, por edhe ndër kolektive të nduarta që përbëhen nga më shumë punëtorë. Nuk kishte as kacagjelime, smira, ndërkëmbësa etj. marifete, që marrë në përgjithësi – janë pjesë e këtyre kolektiveve, paksa më të shprehura ndër grupimet e estradës, teatrit, filmit, krijimtarisë në përgjithësi. Problemi im, që më ndoqi në fillim ishte fondi i fjalëve shqipe, dhe jo rrallë, përdorja ndonjë latinizëm në tekste, deri sa nuk më “tërhoqi për veshi” Murat Isaku (ndjesë pastë), ky kolos i letrave tona, duke më mbajtur një “ders” që shkonte deri në qortim. Po unë gjimnazin e kam kryer në gjuhën maqedonishte, iu arsyetova. – Ti ke një diksion të pastër dhe melodik, – më paç thënë Murati, dhe pak punë është që të marrësh në duar literaturë dhe mund t’a kesh përparësi se ke theks “gego-tosk”, që tash me drejtëshkrimorin të shkon në favor. Atëherë, iu qepa leximit të literaturës, librave shqipe, rilindësve, shkrimtarëve bashkëkohorë deri sa, si e them në shaka edhe ndonjë doracaku të tipit “Si bëhet ajvari”. Brenda një kohe jo mbi njëvjeçare, Murati vetë m’i redaktonte tekstet, dhe më jepte krah dhe zemër. Por, Murati nuk ishte gazetar, ishte shkrimtar me nam, dhe kjo nuk i tingëllonte Lutfi Rusit, i cili kërkonte lajm, informacion, e jo reportazhe dhe forma të shprehjes artistike. Krah më tolerant e kisha Alush Kamberin, i cili, me shumë nerva, kohë dhe kujdes sa bënte redakturë, tek-tuk dhe lektoronte, sahera duke dhënë dhe arsyen. Më vonë, tani që kisha “kaçëkun” që vetë të shkruaja dhe redaktoja, shih belanë, -në redaksi në postin e lektorit erdhi Nijazi Muhamedi, një stilist, erudit dhe perfekcionist i gjuhës, i cili, gjithëherë kërkon të jesh më i mirë, me të hedhur tezën se duhet punuar jo në përdorjen e një gjuhe “administrative” si e thoshte fjalorin serbisht-shqip, që herë-herë e përdornim, por një gjuhe të filtruar dhe të begatuar shqipe… duke më kthyer drejt Konicës, Fishtës, Nolit, Kutelit, Bulkës… Në fund, në këtë “karashi”, dalëngadalë, ç’prej atëherë e deri sot me lexim intensiv, që dhe sot, ndonëse me dinamikë pak më të zvogëluar, çdo ditë e më shumë regjistroj në përkujtuesin tim ndonjë fjalë, frazë etj. që m’a do veshi dhe xhani… “Gjuha shqipe”, në një ndejë rasti, më thotë Rexhap Zllatku, “sot ka marrë tatëpjetën” dhe, sipas tij, “në gishta mund të numërohen gjuhëtarë të përsosur të gjuhës sonë”. Këtu po i vë presje kësaj pyetje, sepse, gjuha shqipe është tejet e pasur, dhe është për t’i qarë linguistët tanë, që unjësia ime është e bindur se duhet të punon çdo ditë e më shumë në këtë drejtim.. se, si thoshte Bageri: “Gjuha është tapia e një kombi”. Thënë shkurt, këto ishin hallet fillestare që hasa me të punuar në RTM-në e sotme.

KOHA: Çfarë kujtime mbani nga kolegët e juaj të punës, që nuk veniten në jetën tuaj? 

RAUFI: Jeta është një tërësi e përbërë nga episode. Për 44 vjet pune në TVM, unë kam pasur, si bota mbarë, momente gëzimi dhe pikëllimi. Do më lejoni, që pa e riformuluar pyetjen tuaj, të zbardhë momentet trishte, që m’a esëlluan mire e qartë “ambientin” ku jetoj. Në fundvitin 1982, pas ngjarjeve në Kosovë, “Errërat e Koshavës” morën hov të mbrapshtë. Redaktorit të atëhershëm të redaksisë, Menduh Ajdini, iu dha urdhër që në emisionet shqipe të TV-Shkupit, të ndërrohet toponimia e qyteteve ku jetonin në pjesë të madhe shqiptarë. Pra, të “riemërtohet” Shkupi në Skopje, Dibra në Debar, Kërçova në Kiçevo, Manastiri në Bitolla… Menduhi kërkoi shkresë zyrtare për këtë “non sens”, që, të njëjtin dhe t’a shpallë para shikuesve tanë. Kjo shkresë nuk erdhi, Menduhi nuk lëshoi pe, dhe si përfundim – atë e demisionuan nga posti i Kryeredaktorit, dhe e angazhuan në emisionet për shurdhmemecët që do emetohej në maqedonishte me titullin “Svetot na tishinata” (“Bota e heshtjes”). Për një kohë, Menduh Ajdini e “heshti” botën e shurdhmemecëve, madje, që ironia të jetë më e madhe, ai ia doli që të ketë sukses me këtë emision, ama, nuk e pranoi gjatë këtë heshtje, dhe në moshë 55 vjeçe, u pensionua. Kalimthi, ndërrimi i Menduhit, i vetmi të cilin e emërtoja, po dhe sot e them “SHEF”, është përlotja e dytë në jetën time, pas ndërrimit të jetës së nënës sime, që ngjau po të njëjtin vit. Episod më vete është kur Alush Kamberin, që kishte marrë pjesë në një dasmë të një të afërmi të vet, e ku ishin kënduar këngë nacionaliste(?!), deshën t’a shkarkojnë nga puna. Nuk e shkarkuan, por e “transeferuan” si dokumentarist i shquar në redaksinë dokumentare maqedone. Nuk vonoi puna dhe mikun tim agjil dhe me iniciativë të rrallë për t’u “zënë” me tema sensitive, tash të ndjerin Sefer Musliu, e hoqën nga ekrani pa ndonjë arsyetim të veçantë dhe së fundi, mua m’a ndaluan paraqitjen në ekran(?!) dhe e bënë mirë, se, zate, isha lodhur nga ekrani. Më vonë e mora vesh, se largimi im nga ekrani paskësh qenë , shkaku se nëna ime paskësh prejardhje nga Korça, “demek” dhe ajo, (ndonëse e ndjerë) është element “i papërshtatshëm” për sistemin (edhe ashtu në “knock doun” ) të ish-Jugosllavisë. Të gjitha këto të ngjara ndodhën midis viteve 1982-1989. Nënkuptohet se këtu lista, mbase nuk përmbyllet, por, ama, këto janë, ndër të tjerat, kujtimet që asnjëherë, për sa jam gjallë nuk do më veniten…

KOHA: Filmi dokumentar është historia e vendit. Nëse nuk përpiqemi të filmojmë e të flasim për një vend, për një shoqëri të asimiluar, atëherë humbet identiteti…?

RAUFI: Nuk kam punuar gjithaq në emisione dokumentare. Së paku jo për programin e TVM-së. Një sërë dokumentaresh i kam punuar për Radiodifuzionin e atëhershëm të Maqedonisë, tash Agjencia për Media. Ndër dokumentaret që sot janë në arkivat e kësaj Agjencie, kujtoj të jetë më afër shqetësimit tim plaga e vjetër (edhe) e shqiptarëve – kurbeti. Më saktë, për reflektimin e tij në jetën e familjarëve më gjerë dhe në veçanti për fatin e femrave, që në mosha të reja, mbetnin këndej, në truallin tonë, këtu ose në shtrirje më të gjerë, kudo që jetënon etnia jonë. Sahera më sillen ndër mend ca vargje të këngës “Kur dola te dera”, që në mënyrë maestrale e këndon zonja Hanife Sejfullahu (së cilës për TVM i kam bërë portet dokumentar). Nuk ka nevojë që kjo temë të elaborohet më gjerë, nëse i përkujtojmë vargjet :-“Kur dola te dera/ nuk më linte vjehrra./ Vjehrra nuk më linte, /hallet nuk m’i dinte …”. Ky fatum kurbeti, që na ndjek për shekuj, është madje motiv i dhjetëra këngëve-antologjike të muzikës sonë. Mua më është dhimbur, si atëherë, njikështu dhe sot, fati i një femre të posamartuar, e cila, komunikimin me bashkëshortin e ka pas të rrallë… dhe, vështruar nga ky prizëm, që e kam ndjerë dhe në familjen time më të gjerë, sahera më ka vajtur mendja tek femrat, motrat tona kobëzeza, që rronin mbenda katër mureve dhe të thuash se nuk jetonin, por, thjeshtë vegjetonin. Ndryshe, temat që i kam punuar në dokumentaret e mia kanë qenë ato bashkëkohore, të sotme si “Libri i harrruar”, “Qasje bohemike” etj. Ndërsa, kujtoj se afiniteti im ka qenë, për të mbetur dhe sot gjallë -portreti dokumentar. Janë dhjetëra personalitete që, për fat të keq, në kohë të shkurtër janë realizuar si portrete dokumentare, por pa minumim standarde që I kërkojnë këto emisione. Standarde e mia, pa fare modestie po e them, kanë qenë më të “larta”.

KOHA: Kemi dëgjuar në radio që këndonit. E keni pasion këngën. Cilët janë këngët e juaja dhe pse u ndatë nga kënga? 

RAUFI: Po,po, është e vërtetë kjo, dhe, ka një (para)histori që do e shkurtoj në dy rreshta:-Familja e nënës sime në Korçe (ku ke përshtypjen se të gjithë këndojnë, qoftë në halle apo gëzime), njihej si “Familja e bilbilave”. Atje është kënduar prore. Nënkuptohet, në masë më të madhe “Serenatat Korçare”. Deri në vitin 1982 (kur ndërroi jetë ime amë Marjeta), shumë shpesh, ajo luante me mandolinë dhe këndonte, ndërsa unë, që dija disa “akorde” në kitarë i mbaja “iso” me zë dhe instrument. Këndonim, veç Serenatave dhe këngë mediterani dhe ca potpuri të shkurtra me motive tona-shqiptare… Por, para kësaj, në një takim studentor, unë këndova dhe dola i fituar në një konkurrencë dhe jo gjithaq për të qenë. Në vitin 1983, RTV i Shkupit (radio), duke ndenjur në bufenë e Televizionit, mora vesh që kishte një audicion për këngë nga Festivalet e Shkupit. Unë atëherë, hë për hë, bëra përkthimin (jo dhe gjithaq të përshtatshëm) dhe hyra në studio, ku kryeproducent ishte Gjakonovski – “Shpato” (ndjesë pastë). Para meje kënduan ca kandidatë të tjerë, dhe me ca “korrigjime” disa i’a dolën, e ca të tjerët morën këshilla që të punojnë dhe më shumë që në ndonjë rast tjetër t’ia dalin. Më erdhi dhe mua radha , dhe, shih çudinë, i’a dola që me të parën ta marrë lejen që kënga të vihet në “signaturën” e programit të rregullt të redaksisë së Radio Shkupit. Për më tepër, “Shpato”, një legjendë e xhaz muzikës, më mbajti për një kohë dhe më sugjeroi që me të punoja një-dy herë në javë, sepse, për mendimin e tij, unë kisha një bariton të veçantë që atij i’a “donte veshi”, dhe se me pak ushtrime do bënim incizime të reja. Ndonëse e pranova këtë privilegj, i etur për t’a shijuar jetën rinore (pasi fëmijëri dhe nuk paç), pasi hamendësova pak, nuk e mbajta fjalën dhe kësisoj, kjo episode e jetës sime këtu dhe u përmbyll. Incizimi herë-herë emetohet në programet e Radios,programi shqip, dhe, në një përvjetor që kishte Radio-programi shqip, kolegët më befasuan këndshëm, se, ndër dhjetë këngët nga produksioni i tyre, u gjeta dhe unë.

KOHA: Çfarë po bën sot Skenderi, si pensionist? 

RAUFI: Deri në shtator e kam bërë “nijet” të mos merrem me asgjë përveç me gjezdisje ndër kodrën e Gazi Babës, me lexim, me ca projekte TV për “shpirtin tim” dhe jam në pajtim me një “vetëizolim” që më imponon. Itinerari i këtillë më shkon shtati, se vetmia, që ka dhe shumë shqetësime, në një aspekt ka dhe parësitë e veta: të “liron” nga kontaktet e domosdoshme me ca thashetarë, pipiruca, shakllabanë (apo llafazanë) dhe “të ligë për mend”, që sot janë shtuar si taftabitë. Pas shtatorit, nëse më mban shëndeti dhe ma do vullneti, kam ca plane që, me këtë rast, nuk mendoj se duhet shpaluar… Shohim!

Comments