Në qytetin sirian Aleppo prej orës tetë sipas kohës lokale, hyri në fuqi “pushimi humanitar”, i shpallur nga Rusia, me të cilën banorëve do t’u mundësohet ta braktisin qytetin.

Moska dje kumtoi se armëpushimi do të zgjasë 11 orë. Armata siriane dje theksoi se kjo do të zgjasë tre ditë.

Në Berlin, presidenti rus Vladimir Putin tha se është i gatshëm t’i ndërpresë “sa është e mundur” sulmet ajrore.

Shtabi i përgjithshëm i armatës ruse dje kumtoi për hapjen e tetë korridoreve humanitare, gjashtë për evakuim të civilëve, të sëmurëve dhe të plagosurve dhe dy për tërheqjen e kryengritësve të armatosur.

Qeveria siriane kumtoi se i tërheq ushtritë nga pozicionet nga disa rajone në Aleppo në mënyrë që t’u mundësojë kryengritësve t’i braktisin rajonet lindore të qytetit përmes korridoreve të formuara speciale.