Në dramën e tyre të re, dyshja Marks dhe Gran (Laurence Marks dhe Maurice Gran) eksplorojnë se çfarë mund të kishte ndodhur nëse psikopati dhe psikanalisti do të ishin takuar vërtet. Nga: Laurence Marks / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com A është abuzuar – fizikisht dhe emocionalisht – Adolf Hitleri nga babai i vet? Kjo ishte ajo që nënkuptohej në librin Hitleri: Një studim mbi tiraninë [Hitler: A Study in Tyranny] nga Alan Bullock, një vepër e cila që në kapitujt e saj të parë shtronte disa teori të pazhvilluara për vitet e hershme të Hitlerit. Ishte një ide joshëse dhe ajo në fund më çoi mua dhe bashkëpunëtorin tim në shkrime, Maurice Gran, të shkruanim një dramë – fillimisht për Radio 4 dhe tani për në skenë. Por, ka qenë një proces shumë i gjatë, që ka zgjatur tri dekada. Në bibliografinë e librit të Bullockut, gjeta një referencë për një tjetër libër, Rinia e Hitlerit [Hitler’s Youth] nga Fritz Jetzinger. I botuar më 1956, ishte një botim me pak faqe dhe i shkruar në gjuhën gjermane. Më në fund, një shitës i librave të rrallë arriti të gjente një version në anglisht – me shumë vështirësi dhe kosto të lartë. Ajo që më preku menjëherë ishte kjo: në vitin 1905, Adolfi i vogël, gjashtëvjeçar, i mavijosur dhe i rrahur, u dërgua nga nëna e tij Klara, te mjeku i familjes së tyre në Linc. Mesa duket, nuk ishte hera e parë që familja Hitler vizitonte mejkun Eduard Bloch – Adolfi i vogël shpesh urinonte në shtrat dhe Bloch mendonte se nuk kishte çfarë të bënte tjetër për të përveçse të përshkruante qumësht të ngrohtë. Megjithatë, në këtë rast Bloch i tha Klaras se ishte një mjek i shquar që sapo kishte hapur atë që besohej të ishte klinika e parë për fëmijë në Vjenë, dhe ai donte ta referonte Adolfin te ky mjek. Klara pranoi, por kur ajo i tregoi të shoqit (Aloisi abuziv, një burrë i dhunshëm që përdorte rripin dhe grushtet ndaj fëmijës) se besonte që mjeku në Vjenë mund t’i bënte mirë djalit të saj, ai e ndaloi – me shumë gjasë nga frika e zbulimit. Dhe, cili ishte emri i mjekut në Vjenë? Sigmund Freud. Pasi mësuam këtë, Maurice dhe unë shtruam pyetjen: “Çfarë do të kishte ndodhur nëse Adolf Hitleri do ta kishte vizituar dhe do të ishte bërë pacient i Sigmund Freudit”? Pastaj kuptuam, nga një lexim i pafund, se Hitleri dhe Freudi kishin qenë në të njëjtin vend në katër herë të ndryshme – dhe këto raste menduam se përbënin elementet bazë të dramës sonë. Edhe pse kisha lexuar të 24 vëllimet tepër të mërzitshme të Veprave të plota psikologjike të Frojdit [Complete Psychological Works of Freud], kishte ende shumë gjëra që nuk i dija. Këtu hyri në lojë John Forrester, profesor i historisë së filozofisë së shkencës në Kolegjin Mbretëror në Kembrixh [King’s College, Cambridge], me të cilin përcaktuam këto katër raste që do të përbënin katër aktet e dramës. Tri takimet e fundit janë produkt i imagjinatës – për të cilat studiuesit frojdianë na kanë thënë se babai i psikanalizës do t’i kishte aprovuar. Ndërkohë, na magjepsi i pari i bazuar në realitetin se Hitleri për pak sa nuk e kishte vizituar Freudin. Si rezultat, Maurice dhe unë (më së shumti të njohur për serialet komike si Goodnight Sweetheart, The New Statesman dhe Birds of a Feather) ndërmorëm veprën më komplekse të karrierës sonë. Kjo pjesërisht sepse biografitë e Adolf Hitlerit janë aq të shumta saqë ishte një sfidë më vete përzgjedhja e atyre që na dukeshin si të sakta dhe akademike, por, megjithatë, ishte shumë më e lehtë për ne të kuptonim Hitlerin sesa Sigmund Freudin dhe familjen e tij. Marrëdhëniet brenda familjes Freud ishin seksualisht të ndërlikuara – por, kjo është për t’u pritur, apo jo? – për çfarë nuk ishin të dokumentuara. Prandaj, përveç vizitës së trilluar në fëmijëri nga familja Hitler në klinikën e Sigmund Freudit, ne vendosëm se Hitleri dhe Freudi mund të ishin takuar më: 1908: Kur Adolf Hitleri u largua nga Linci për në Vjenë në një përpjekje të dështuar për t’u pranuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës – në një kohë kur Freudi ishte një nga shkencëtarët më të famshëm në Evropë. 1918: Kur Hitleri me verbëri histerike u shtrua në një spital në Gjermaninë veriore (një çrregullim psikosomatik), pasi kishte qenë viktimë e një sulmi me gaz – nga britanikët – në istikamet e Francës. Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur Freudi po kryente një studim në spitalet gjermane mbi neurozat e luftës te ushtarët. 1938: Anshlusi. Ndërsa Hitleri marshonte në Austri për t’u pritur si hero fitimtar, Freudi ndodhej në shtëpi duke u përpjekur të gjente një mënyrë për të nxjerrë familjen nga Vjena – duke qenë shumë i vetëdijshëm për atë se cili mund të ishte fati i tyre. John Forrester, tashmë i ndjerë, besonte se këto katër takime ishin të ligjshme nga pikëpamja dramatike, dhe kështu na takoi neve – Mauriceit dhe mua – të imagjinonim se çfarë do të kishte ndodhur në secilin prej tyre. Kuptuam se Hitleri fëmijë dhe Hitleri i ri – në pjesën e parë të dramës sonë – ishte krejt ndryshe nga imazhi që të gjithë kemi për burrin që drejtoi Gjermaninë dhe botën drejt Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, duhej të përpiqeshim të hynim në mendjen e artistit si një djalosh i ri – duke hequr dorë nga idetë tona të paragjykuara dhe duke kuptuar se ai ishte një qenie njerëzore. Kjo nënkuptonte të futeshim në mendjen e Hitlerit të ri për të kuptuar se si ngjarjet historike mund ta kishin shndërruar atë në një tiran. Megjithatë, skena më sfiduese për t’u shkruar ishte ajo ku Hitleri, tashmë si Firer, viziton Freudin plak në shtratin e vdekjes në vitin 1938, i bindur se eseja e Freudit, Një fëmijë po rrihet, ishte bazuar te vetë Hitleri si fëmijë – një sekret të cilin Hitleri i rritur donte ta mbante larg ndjekësve të tij të zjarrtë. Pastaj ishte edhe Psikologjia e turmës dhe analiza e egos e Freudit, të cilën Hitleri e kishte lexuar për të pushtuar popujt gjermanë. Kjo skenë na mori shumë kohë për ta përpunuar, sepse vazhdimisht ia shtronim njëri-tjetrit pyetjen: “Po sikur Hitleri të kishte rënë nën magjinë e Freudit”? Si do të ndryshonte shekulli XX? Në përfundim të dramës sonë, Anna Freud, vajza besnike e Sigmundit dhe vetë një psikanaliste e njohur për fëmijë, i drejtohet audiencës dhe thotë: “A do të ishte më ndryshe nëse babai im vërtet do ta kishte Hitlerin në divanin e vet? Apo nëse do ta kisha pasur unë në timin? Dyshoj. Të gjithë ata që janë shtrirë ndonjëherë në divanin e babait tim kërkonin dashuri – por, Adolfi, ai … thjesht nuk do të shtrihej. Vitin tjetër, më 1939, shpërtheu lufta dhe babai im vdiq, jo larg prej këtej, në Hamsted [Londër]. Z. Hitler, siç mund ta kujtoni, jetoi pak më gjatë”. E shkruam këtë fjali sepse e dinim që premiera e dramës do të jepej në Hajgejt, fare pranë vendit ku kishin jetuar frojdët. Mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër: “Po sikur Adolf Hitleri të ishte pranuar në kursin dyvjeçar në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës në vitin 1910 dhe të kishte ndjekur një karrierë në art apo arkitekturë”? Ka shumë gjasa që bota jashtë Austrisë nuk do të kishte dëgjuar kurrë për të. Por, ai u refuzua nga shkolla e arteve për mungesë talenti dhe pjesën tjetër të jetës së tij të re e kaloi si endacak në kërkim të një kuptimi për të jetuar. Sot e pranojmë se ka paralele mes dramës sonë dhe botës në të cilën jetojmë sot. Siç i thotë Freudi pacientit Hitler, teksa ky rikuperohej nga verbëria histerike: “Po punoj për një libër mbi psikologjinë e masave. Është intriguese se si teksa jeta moderne bëhet gjithnjë e më komplekse, masat kërkojnë nga udhëheqësit zgjidhje gjithnjë e më të thjeshta”.

113
fresco

Një reaksion kimik i padëmshëm, por shpesh i bezdisshëm për lëkurën

Për të shmangur zverdhjen ose gjelbërimin e lëkurës, lyeni pjesën e bizhuterisë që prek lëkurën me një shtresë llaku transparent për thonj dhe pastroni rregullisht bizhuteritë për të hequr mbetjet e losionit, djersës dhe papastërtive.

Është zhgënjyes kur gjeni unazën, varësen, vathët apo byzylykun e përsosur, i mbani gjithë ditën dhe më pas lëkura juaj nën to bëhet e gjelbër. Pasi të kalojë ndjenja e bezdisjes, me siguri pyesni veten: pse ndodh kjo? Përgjigjja është mjaft e thjeshtë dhe më poshtë gjeni edhe disa këshilla se si ta parandaloni.

Pse lëkura bëhet e gjelbër kur mbani disa bizhuteri?

Bakri është fajtor në shumicën e rasteve. Bizhuteritë prej bakri mund të reagojnë me djersën, losionet apo produkte të tjera në lëkurë dhe të oksidohen. Gjatë oksidimit ndodhin reaksione kimike që krijojnë një shtresë të gjelbër në sipërfaqen e bizhuterisë, e cila më pas ngjitet mbi lëkurë.

Megjithatë, bakri nuk është gjithmonë arsyeja e vetme.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me çdo lloj bizhuterie që nuk është ar nga i pastër ose platin, sepse përbërja e saktë e aliazheve shpesh nuk është e qartë. Shumë njerëz kanë probleme me niklin po aq sa me bakrin, pasi alergjitë ndaj niklit janë të zakonshme,” shpjegon Tori Dundas, themeluese dhe presidente e True Curated Designs, transmeton Telegrafi.

Ngjyra e gjelbër nuk është alergji

Shumë e ngatërrojnë këtë dukuri me alergjinë ndaj bakrit, por nuk është e tillë.

“Është e rëndësishme të kuptohet se kjo është një reaksion oksidimi, jo alergji e lëkurës. Është një shtresë e mbetur që vendoset mbi lëkurë. Mund të fshihet, por ndonjëherë është kokëfortë,” thotë Beatrix Bell nga Beatrixbell Handcrafted Jewelry.

Meqë djersitja është e pashmangshme, është shumë e mundshme që bakri të reagojë me lëkurën tuaj. Sidoqoftë, ka edhe përjashtime: nëse pas mbajtjes së bizhuterive prej bakri shfaqen kruarje apo skuqje, kjo mund të jetë shenjë alergjie.

Si të parandaloni gjelbërimin e bizhuterive?

Lajmi i mirë është se mund të vazhdoni të mbani bizhuteri prej bakri pa u shqetësuar. Ja disa këshilla praktike:

▪ Lyeni pjesën e bizhuterisë që prek lëkurën me një shtresë llaku transparent për thonj, për të krijuar një barrierë.
▪ Pastroni rregullisht bizhuteritë për të hequr djersën, losionet dhe papastërtitë.
▪ Ruajini në ambient të thatë.
▪ Mbajeni lëkurën sa më të thatë kur mbani bizhuteri.
▪ Shmangni t’i mbani në ditë shumë të nxehta, kur djersitja është më e madhe.
▪ Hiqni bizhuteritë gjatë larjes ose pastrimit.
▪ Preferoni bizhuteri prej çeliku inox, platini ose prej metaleve të çmuara si ari dhe argjendi i pastër.

Comments